Delina Cici - My Blog

Saturday, November 11, 2006

Aristokratët e rinj

Profesionet që u pëlqejnë të bëjnë princeshave dhe markezëve

Puna fisnikëron edhe fisnikët

NGA DELINA CICI

Ka nga ata të cilët administrojnë trashëgiminë që u kanë lënë të parët. Trashëgimtarët e familjeve të mëdha kanë steriotipe të përbashkëta. Në vend që të kalojnë ditët e tyre nëpër lokale, bëjnë menaxherin dhe punë të tjera nga më të ndryshmet. Sektori më pak i preferuar? Politika


Në sallonet e Torinos, për vite me radhë dëgjohet kjo anekdotë: nëse merr në telefon në shtëpinë e një aristokrati, djali i vogël përgjigjet kështu: “Babai nuk është në shtëpi. Është në punë në lokal”. Të frekuentosh rrethet e miqve aristokratë, të kalosh ditën duke lexuar dhe duke tymosur në kolltukët e lëkurës, për brezat e aristokratëve ishte një punë fisnike. Por sot nuk është më kështu. Gjithçka ka ndryshuar.
“Kam qenë i pari që kam ushtuar profesionin e arkitektit në një familje ku arkitektët i kanë paguar gjithmonë”, tregon duke buzëqeshur konti Benedetto Camerana, nipi i zëvendëspresidentit të “Fiatit”, Giancarlo Camerana dhe i filozofit Giovanni Gentile “nga i cili kam marrë kreativitetin”. Të rinjtë e sotëm aristokratë bëjnë diçka që paraardhësit e tyre as nuk do t’u shkonte ndërmend ta bënin edhe si ide: “I janë futur punës”.
“Nga një anë kjo është shumë e vështirë për t’u perceptuar, pasi imazhi aristokratik është shoqëruar gjithmonë me idenë e të mos bërit asnjë. Benedetto Camerana është arkitekti i veprave të mëdha. “Me njohjet e mia mund të kisha bërë më lehtë shtëpitë e miqve të mi, por nuk më pëlqejnë gjërat e lehta”. Padyshim që as markezit milanez, Eugenio Litta Modignani, nuk i pëlqejnë gjërat e lehta. Ky i fundit ka qenë italiani i parë, i cili ka prodhuar dhe ka shitur vodkën “Tovaritch” në Rusi. Një sukses i madh, një mendim paradoksal si shitja e frigoriferit eskimezëve. Konti napolitan, Riccardo Pavoncelli, shkoi në Londër pa diplomë dhe si punë të parë zgjodhi që të punonte në një piceri. Më pas kaloi në bankat më të rëndësishme të vendit dhe u martua me Cosima von Buloë. Rasti i këtij fisniku është ai i vetërealizimit.
Markezi Carlo Clavarino, nga familje gjenoveze, filloi nga shoqëritë e sigurimit. Duke parë punën e tij të frytshme, administratori i gjigandes amerikane “Aon” bëri shkrirjen e kompanive, drejtimin e së cilës iA besoi Carlos. Një njeri i cili kishte marrëdhënie të shkëlqyera me miqtë, mes të cilëve veçonte miqësinë me Filipin e Spanjës. Ai që e ka rritur shumën në kasafortën e “Fiatit” është pikërisht një aristokrat: markezi Carlo Barel, i cili është vetëm 42 vjeç dhe administron firmën “Ifil”.
“Aristokratët kanë më lehtësira kontaktesh, puna e tyre është një lidhje paralele. Të jesh aristokrat, është pak a shumë si të jesh i/e bukur. Ndoshta nuk mjafton, por ndihmon shumë”, tregon Neri Torrigiani, dizenjues dhe konsulent imazhi për luksin. Prej vitesh punon me markezët Frescobaldi dhe princërit Corsini.
“Ata mbeten aristokratë, nuk ndryshojnë. Giorgiana Corsinit, pas 20 vjetësh pune vazhdoj që t’i thërras me Ju”, vazhdon ai. Flet në telefon nga kuzhina teksa nga ana tjetër dëgjohen zhurmat që bëjnë pesë fëmijët. Është kuzhina e pallatit Corsini, në të cilën jetohet si në një shtëpi normale. Ajo dizenjon stofra për ndërmarrjen “Puçi”. Bashkëshorti, Diego Paternò, markez sicilian, punon në ndërmarrjen e saj të veshjeve.
“Në familjen time ka qenë një ministër i Jashtëm, por personalisht jam më krenar nga historia e gjyshit tim borgjez Salvatore Ferragamo”.
Jo më pas ka mbetur Giulia, e cila mban biznesin e marmelatave dhe produkteve të tjerë mes Firences dhe Sicilisë.
Sigurisht këta punonjës janë si gjithë të tjetër për sa i përket anës profesionale. Kanë të gjithë nga një kartëvizitë dhe mund të komunikosh lirshëm me ta. Nga ana tjetër është vështirë që të mos ndjesh një farë krenarie familjare.
Konti i Emilio Volit, i cili është edhe ndër bashkëpunëtorët më të rinj të “Apax”, një nga kompanitë më të mëdha në botë, tregon: “Në fillim në zyrë në Milano më thërrisnin të gjithë kont dhe këtë nuk e bënin për të më vënë në siklet dhe në fakt nuk më vinte keq”. Por konti jeton në Londër, ku të qenit aristokrat vazhdon të peshojë. “Nuk tregohet, por kuptohet nga aksenti dhe mënyra e të veshurit”. Si për shembull princi roman, Ignazio Boncompagni Ludovisi, i cili punon në “Mediobanca” apo princi i Kalabrisë, Augusto Ruffo, i cili është presidenti i ekskluzives “Corviglia Club”, ndërsa në Romë është administrues i godinës së “Cinecitta”.
Flasin qetë, ndonjëherë janë të distancuar dhe vështirë t’i gjesh të shqetësuar. Duhet thënë se aristokratët e pasur dhe të fuqishëm janë të paktë.
“Pothuajse askush nga këta të fundit nuk është i përfshirë në jetën politike. Shumë njerëz, të cilët mendojnë se janë të fuqishëm në botën e sotme, aspirojnë që të jenë aristokratë. Politika në fakt nuk i tërheq aristokratët”, tregon Ludovisi.
Por ka nga ata të cilët tregojnë edhe anën tjetër të medaljes. Ata shprehin gjithë kënaqësinë për lindjen në një familje borgjeze. Princesha Maria Fernanda Stagno, e cila thirret Mafe, tregon: “Edukata ime shumë e fortë më bëri që të mos ndjehem mirë vitet e para në Milano. Shpeshherë mendoj akoma se jemi një botë më vete. Shumë të edukuar dhe shumë të fshehtë”.
Mënyra më e mirë e mbrojtjes është marrja e disa rrugëve të papritura duke surprizuar pjesën tjetër. Këtu mund të përmendim rastin e dukës roman Guido Torlonia, regjisor teatri, i cili ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me “Prandën”, me Institutin e Kulturës së Parisit dhe është marrë me Festivalin e Kinemasë në Venecia. Apo rasti i princit Lorenzo Borghese, i cili është mjek në Kamboxhia dhe për këtë ka bashkëpunuar me “Emergency”.
Markezja Nice Gugliemi, nga familje ambasadorësh të mëdhenj, është përgjegjëse e marrëdhënieve me jashtë të Sisal, ka dy fëmijë dhe ka një pasion të madh për kuajt: “Puna të fisnikëron dhe unë kam punuar gjithmonë. Ka ikur koha e mbledhjeve së aristokratëve pasditeve nën diellin perëndues”. E të njëjtit mendim është edhe markezja Ginevra Carrassi, organizatore e martesave elitare.
Kjo e fundit tregon: “Avokati im u habit kur unë i tregova se doja të nisja një rrugë të ndryshme nga ajo e familjes time”. Ka edhe nga ata të cilët vendosin që të transformohen në menaxherë të vetes. Markezi Lamberto Frescobaldi thotë: “Nuk luaj golf, apo ndonjë sport tjetër. Fillova të punoj në ndërmarrje që i vogël dhe zgjimi i mëngjesit për mua çdo ditë bie në orën 06:00”.
Shembujt më të mirë të të rinjve sipërmarrës mund ta japin baronët sicilianë Alessio, Francesca e Santi Planeta. Markezja e re Agnese Mazzei është një arkitekte e njohur, ndërsa Laudomia Puçi nga Firence merret me atelienë e saj, e cila është nga më të suksesshmet. Së fundmi, konti torinez, Roberto Biscaretti, është i mirënjohur si civil.
Ai kujton: “Familja më dërgoi në Morosini të Venecias, një shkollë e forcave detare. Kishte nga të gjitha llojet. Ajo shkollë shërben për të zgjuar disa dhe për të edukuar të tjerë. Aty ishe askushi, nuk kishe privilegje. Të njëjtën gjë do të më pëlqente të bënte edhe im bir”. Pikërisht për fëmijët vlen një rregull i artë i pashkruar: dërgojini në shkollë gjithë vitin me të njëjtën bluzë golfi. Më mirë nëse e ka veshur më parë një kushëri aristokrat. Të harxhosh para kot nuk është aspak fisnike.
Sepse edhe aristokracia ka rregullat e saj të arta.

Thursday, November 09, 2006

Histori amerikane

DELINA CICI

Biologu amerikan prezanton rezultatet e një studimi të bërë në trupin e tij: “Jam i rrezikuar nga Alzheimer, verbëria dhe nga infarkti”

“Gjenet e mia ia kam ofruar shkencës”

Krijoi hartën e parë të ADN, sot Venter prezanton një sfidë të re

Njeriu i cili dizenjoi për herë të parë hartën sekrete të jetës, lexoi një ditë informacionin që gjendej në hartën e tij dhe u drodh. Në labirintin e kromozomeve dhe të gjeneve të veta, zbuloi se rrezikohej së shpejti nga disa sëmundje si: Alzheimeri, infarkti, iktus cerebral dhe verbëria. Pas kësaj, J. Craig Venter, studiuesi i cili kompletoi për rreth tre vjet hartën e trashëgimisë gjenetike njerëzore, vendos që t’i japë fund kësaj pune. Ai vendos që t’i lërë shkencës trashëgimi sekretet gjenetike të vetes. Harta e genomës njerëzore, së bashku me informacionet që janë shkruar në ADN tonë, janë kompletuar nga 2003 nga Venter. Për të identifikuar 25 mijë gjenet në ADN tonë (shifra totale nuk është e sigurt) dhe 3 miliardë çiftet kimike, Venter pranon se ka eksperimentuar edhe në vetë trupin e tij, së bashku me materialin e donatorëve të tjerë vullnetarë. Si gjithmonë zgjidhja e këtij ish-infermieri ushtarak, i cili ka pas punuar në Vietnam, u kritikua nga bota shkencore. Por Venter me rebelizmin që e karakterizon vazhdoi kërkimet e tij për të mësuar më shumë se çfarë fshihen në informacionet gjenetike. Ka vendosur dhe do të arrijë të prodhojë jo vetëm mozaikun e genomës së parë, por edhe foton e detajuar dhe komplete të një njeriu të vërtetë biologjik, prej mishi dhe kockash pjesë për pjesë. Që kur mori vendimin, ai filloi që të eksploronte brenda trupit të tij dhe arriti në përfundimin: “Tani di që jam i predispozuar nga Alzheimeri, të cilën e kam trashëguar nga babi im që vdiq nga infarkti në moshën 59-vjeçare, ka shumë mundësi që të prekem nga sëmundje kardiovaskulare, zotëroj një gjen defektoz, i cili rrezikon që të më verbojë dhe pikërisht për këtë duhet që të vazhdoj përpara dhe të kompletoj katalogun e vetes time para se të jetë shumë vonë”, thotë Venter për “Wall Street Journal”. Vendimi për t’u bërë “njeriu i parë atlantik” i studimit gjenetik mund të jetë mendjemadhësi, ose poshtërim ekstrem. Ka vendosur që të mbajë dietë për t’u dobësuar, pi vetëm qumësht të skremuar dhe ha vetëm fruta dhe zarzavate për të ulur kolesterolin dhe për të qenë në formë të mirë. Universiteti i Harvardit, së bashku me një fondacion nga Kalifornia, kanë prezantuar në “Wall Street Journal” një konkurs për të prodhuar një program super të shpejtë, i cili do të jetë në gjendje që të kompletojë hartën gjenetike të një njeriu. Në dispozicion janë vendosur 10 milionë dollarë. Njerëz të famshëm nga media, shkenca, arti kanë pranuar që të jenë vullnetarë për t’i bërë secilit “hartën” individuale. Ai i parashikoi Larry King, intervistuesit kryesorë të CNN, Michael Millken, financierit që u dënua me burg për mashtrim, i se rrezikohej nga kanceri. Një gjë të afërt ka bërë edhe Stephen Hawking, i cili prej kohësh lufton sklerozën e tij të rëndë. Të gjithë do të kishin dëshirë të mësonin se çfarë fshihet në unin e tyre. Por kjo nuk do të thotë se duhet ta mbani mendjen gjatë gjithë kohës në këtë teori, sepse profecia e gjeneve nuk është garanci absolute e së mirës apo së keqes. Këtë gjë e zbuloi Venteri, njeriu i cili dëshiron të lexojë vetveten kur u diagnostikua dhe u operua dy vjet më parë për shkak të kancerit në lëkurë. “Është faji im. Pasioni i tepër që kam për lundrimin, si dhe orët e gjatë që kaloja në varkën time më shkaktuan këtë gjë”, tregon ai. Në këtë rast, gjenet, ashtu si edhe yjet, qëndruan të qeta duke vështruar.

Mes të mirës dhe të keqes

Përgjigjet sipas filozofisë, fesë dhe shkencës
· Origjina historike dhe biologjike e moralit
· Përse jemi altruistë

DELINA CICI

Përse disa herë sillemi mirë dhe në raste të tjera jemi në gjendje që të bëhemi shumë të këqij?
1) Të gjitha fytyrat e djallit
Një tipar mbinatyror apo një sëmundje e mendjes? Një fryt i evolucionit njerëzor apo diçka që ka lidhje me Zotin? Pas shumë diskutimeve, ekzistenca e të keqes vazhdon të jetë ende një problem i pazgjidhur.

Kemi dëgjuar për shumë tragjedi si personale, ashtu edhe familjare. Ato që na vijnë menjëherë ndërmend janë p.sh., një bandë të rinjsh, të cilët kanë djegur të gjallë një njeri, apo që kanë kryer një rrëmbim dhe më pas e kanë keqtrajtuar në mënyrë çnjerëzore personin e rrëmbyer. Pa harruar të listojmë luftërat e shumta, torturat, krimet që po shkatërrojnë planetin.

I padëshirueshëm
Pas gjithë këtyre ngjarjeve, të vjen spontanisht pyetja: Çfarë është e keqja? Përse ekziston? Si mund ta përcaktojmë? Njeriu është vërtet kaq i keq? Po përse? Përgjigjet janë të shumta, por jo gjithmonë bindëse. Për disa filozofë si Sokrati, është vetëm injorancë, paaftësi për të kuptuar se çfarë është e mira. Për të tjerë si Hegeli, është ana tjetër e së mirës, e cila është e domosdoshme. Shumë fe flasin në fakt për një të keqe absolute, mbinatyrore: djallin. Teologët tregojnë mbi ekzistencën e këtij djalli si dhe atë të Zotit që personifikon mirësinë. Ka mbetur ende dilemë çështja e hedhur nga filozofi grek Epikuri mbi drejtësinë hyjnore: “Zoti, ose do që të largojë të këqijat, por nuk mundet; ose mundet, por nuk do; ose nuk dëshiron dhe nuk mundet. Nëse dëshiron dhe nuk mundet, është i pafuqishëm; nëse mundet, por nuk dëshiron, është ziliqar; nëse nuk do dhe as nuk mundet, është ziliqar dhe i pafuqishëm. Nga se varet ekzistenca e së keqes dhe përse nuk e largon dot atë?”. E keqja është në fund të kufirit të së mirës, ndryshe nga e mira, është gjithçka që nuk është e dëshirueshme. “Mos u bëj të tjerëve atë nuk do të dëshironin që të ta bënin ty”, thotë rregulli që është prezent në të gjitha fetë. Të keqen askush nuk ia dëshiron vetes. Por në disa raste, të vrasësh, që është e keqja më e madhe, në disa faza historike, është konsideruar si e mirë. Janë bërë (dhe rrezikon të ribëhen) luftëra të përgjakshme, por të përcaktuara “të shenjta”. Sot, sociologë, psikologë dhe studiues janë munduar që të studiojnë të keqen në mënyrë më konkrete, pa pretenduar që të arrijnë në përcaktime universale, duke u munduar që të kuptojnë përse ekziston. Mjekësia ka shpjeguar që në shumë raste dhuna është një sëmundje e mendjes. Irenaus Eibl Eibesfeldt, etnolog në Institutin “Max Planck”, e sheh të mirën dhe të keqen, altruizmin dhe egoizmin si sjellje të cilat kanë lindur me njeriun, fryt i evolucionit për mijëra vjet radhazi: një vazhdimësi mes instinktit të posedimit e të mbrojtjes të territorit personal si dhe instinkti i bashkëpunimit.

E keqja sipas letërsisë
Këto 2 tendenca të kundërta e vënë njeriun në një ekuilibër delikat, ashtu siç e ka theksuar edhe letërsia, duke filluar me romanin e Louis Stevenson “Doktor Jekyll dhe Mr. Hyde”, në të cilin në një trup të vetëm bashkëjetojnë dy shpirtra në konflikt të vazhdueshëm. “Kur jemi altruistë, ndodh që nevojat primare si uji, ushqimi dhe seksi të jenë të kënaqshme”, thotë Stevan Harnad i Universitetit të Kuebekut në Montreal. Në një farë mënyre, në kushte optimale jemi të gjithë altruistë. Në shoqëritë si p.sh., ajo nordike, tek e cila ka mirëqenie të madhe, ekziston më pak padrejtësi dhe rrjedhimisht më pak gjëra të këqija. Aty ku ka më pak burime, një pabarazi të madhe ka hapësirë për shumë krime dhe dhunë.

Këndvështrime
E keqja është një koncept relativ. Shpesh nuk është fryt i një zgjedhjeje të vendosur, por rezultat i një këndvështrimi. Sigurisht që është diçka e gabuar, por kush bën një të keqe, mendon se është duke e bërë mirë. Një shembull: 11 shtatori 2001. Bota perëndimore e përshkroi këtë të fundit si një gjest shumë të ulët dhe të keq. Po atë ditë, miliona njerëz në botë e kanë festuar si fitoren e së mirës për atë që perceptojnë si “Satani amerikan”, siç e ka përcaktuar një besimtar, Khomeini. Paradoksi është që edhe Bin Ladeni do të bënte një deklaratë të ngjashme me atë të Bushit.

Historia përsëritet
“Në historinë njerëzore disa të këqija përsëriten dhe kur ndryshon këndvështrimi, pyesim veten se si kanë mundur të ndodhin. Si gjermanët, që pas luftës u pyetën se si do t’i asgjësonin hebrenjtë në kampet e përqendrimit”, thotë Marcela Ravenna, pedagoge e Psikologjisë Sociale në Universitetin e Ferrarës. Sigurisht që nuk është ky i vetmi mit që ekziston për të keqen: studimet e fundit tregojnë se për të keqen ka shumë besime të rreme, ashtu siç shpjegon teorinë e tij Roy Baumeister, psikolog në Universitetin Florida State si dhe studiues i dhunës seksuale. “Gjëja e parë që duhet ditur është se që të gjithë jemi në gjendje që të sillemi në mënyra që të tjerët i konsiderojnë të ulëta, të këqija, mizore, meskine ose të dhunshme. Gjithçka varet nga rrethanat dhe nga mënyra se si e interpretojmë situatën”, thotë Baumeister.

Besime të dëmshme
Mite të tjera false? 1. Nuk është e vërtetë se e keqja është gjithmonë e dëshirueshme dhe ndërkombëtare. Duket nga këndvështrimi i viktimës, por për atë që e kryen është gjithmonë një justifikim. 2. Nuk është e vërtetë që e keqja është e motivuar nga kënaqësia: asnjë nuk kryen akte të këqija kur është i lumtur. 3. Jo gjithmonë viktima e të keqes është e mirë dhe e pafajshme. Ashtu si nëpër divorce, dy janë pjesët e lojës dhe të vërtetat e tyre janë dy. Në një farë mënyre, kush kryen një akt të keq është i bindur që ka arsye legjitime për atë që bën. 4. E keqja bëhet nga njerëz si ne. 5. Miti i të keqes: e keqja duket shpesh e drejtë për atë që e kryen. Kështu që gruaja e keqtrajtuar e ka merituar, vajza e përdhunuar nuk ishte shumë e ndershme, etj.

Të gjithë ndjehemi të mirë
Në një farë mënyre, askush nuk ndjehet i keq. “Kjo sepse kodet morale të njerëzve janë shumë më pak të ashpra nga sa mund të mendohet”, shpjegon një psikolog në Universitetin e Standfordit, Albert Bandura. Kjo vjen si rezultat se njeriu në të shkuarën, për të mbijetuar, është detyruar që të mbyllë njërin sy, edhe pse mund të jetë kundërt kodit të tij etik. “Mbijetesa disa herë ka kërkuar veprime të shëmtuara”, thotë Bandura. Kur dikush është i keq, ne shpesh i mbushim mendjen vetes që ai është një demon, një personifikim i të keqes. Shkrimtari George Sylevester Viereck, në librin e tij “Spreading Germs of hate”, shpjegon se si mundohet që ta krijojë këtë justifikim.

Frika për të bindur
Më efikasja nga këto emocione është frika. Si funksionon? Këtë e shpjegon Jacek Debec i Universitetit të New York-ut, që studion efektin e frikës në tru. “Filozofi Thomas Hobs ishte i bindur se të kontrolloje frikën njerëzore ishte njësoj si të kontrolloje shoqërinë, të kishe në dorë fuqinë. Frika dhe emocionet, që janë të lidhura, ndikojnë në jetën tonë shoqërore dhe psikologjike kur ne jemi në gjendje të kontrollojmë në mënyrë të ndërgjegjshme. Të ngjallësh frikë për skupe politike, mund të sjellë konsekuenca të forta dhe të qëndrueshme. Shumë shpesh politika kombëtare dhe ndërkombëtare në vend që të pakësojë frikën, e shfrytëzon për skupat e saj. Frika dhe instinkti ynë i mbijetesës ekzistojnë gjithmonë bashkë në rastet kur ne jemi të detyruar të reagojmë dhe të mbrohemi”, thotë Debec.

Dhuna ngjitëse
“Dhuna është ngjitëse, transmetohet nga një kulturë në tjetrën”, shpjegon Barbara Ehrenreich, sociologe në Universitetin e Kalifornisë në Berkley. “Teksa ka nisur cikli i dhunës, nuk mundesh që ta ndalosh dot”. Plaga hap plagë, të cilën ne e quajmë hakmarrje. “Kur njerëzit kanë frikë, gjendja e tyre emocionale favorizon thjeshtësime, vendime të bazuara mbi stereotipa, gjykime të mbledhura, veprime automatike dhe shpeshherë shohin vetëm anën negative të kundërshtarit të tyre”, thotë psikologia Marcella Ravenna.
Kjo është arsyeja pse ekziston gjithmonë e keqja.


Shumë besime, një pikë e vetme e përbashkët

“Bëju të tjerëve atë që do të donin të ta bënin ty”. Është rregulli i artë i të gjitha besimeve fetare dhe filozofia laike. Ja disa nga versionet.

BUDIZMI: Mos u bëj të tjerëve atë gjë që, nëse do të ta kishin bërë ty, do të të shkaktonte dhimbje

HEBRAIZMI: Mos i bëj tjetrit atë që nuk të pëlqen ty

HINDUIZMI: Mos u bëj të tjerëve atë që ty do të vinte keq

BESIMI BAHA: Mos u uro të tjerëve atë që nuk do t’ia uroje asnjëherë vetes

JAINIZI: Duhet t’i trajtojmë njerëzit ashtu siç dëshirojmë ne që të trajtohemi

KRISTIANIZMI: Bëju të tjerëve atë gjë, që do të dëshironin të ta bënin ty

SHIKKIZMI: Për mua askush nuk është i huaj dhe jam shok i të gjithëve

Përse jemi të mirë?
Një lajm i shkëlqyer: jemi formuar për të qenë altruistë sepse na leverdis të jemi të tillë. Është një çështje biologjike dhe kulturore

Në rrugë rrëzohet një vajzë dhe ju ndaloni që ta ndihmoni. Në autobus ngriheni menjëherë kur shikoni dikë të moshuar. Thërrisni menjëherë ambulancën, kur jeni dëshmitar i një aksidenti me të plagosur. Më pas janë edhe gjestet heroike, të cilat vënë në rrezik jetën si të zhytesh në një kanal, për të shpëtuar ata që janë gati për t’u mbytur. Të kalosh në një mur të dobët, për të shpëtuar studentin e plagosur që kishte shkuar për ekskursion. Nëse edhe ju jeni autor i gjesteve të tij, nuk bëni asnjë përjashtim. Ju, si pjesa më e madhe e qenieve njerëzore, ndihmoni të tjerët dhe jeni të motivuar ta bëni nga empatia dhe nga interesi që keni për mirëqenien e tyre. Shumë mendojnë se evolucioni mund të shpjegojë më mirë egoizmin e altruizmin: është një sjellje egoiste, e cila favorizon mbijetesën personale dhe të të tjerëve, më tepër se sjellja altruiste. Por nuk është kështu. Në realitet, altruizmi, kur nuk është individual, por një rregull i jetës shoqërore, është më efikas.

Altruizmi ia vlen
Ashtu siç shkruan Charles Darwin në 1851: “një tribu me shumë anëtarë, të cilët janë të gatshëm që të ndihmojnë në mënyrë reciproke dhe të sakrifikojnë vetveten për të mirën e përbashkët, do të ishte mbi çdo tjetër tribu”. Kështu që seleksionimi natyror favorizon mbijetesën e çdo anëtari. Sipas studimeve të realizuara nga biologët Robert Trivers dhe Maynard Smith, në vitet ‘60-të dhe ‘70-të, kjo gjë ndodh kur jetojmë në një vend me rrethin familjar dhe jo për çudi, pjesa më e madhe e sjelljeve altruiste janë të këtij lloji.
Sot, studiuesit njohin që altruizmi kafshëror ka dy forma: 1. Ajo mes prindërve, e cila është tipike për bletët dhe milingonat. 2. Ajo mes individëve, të cilët nuk janë pjesëtarë të familjes, si p.sh., rasti i majmunëve. Ndërsa altruizmi njerëzor ka tri forma: ato që përmendëm më lart si dhe altruizmin psikologjik: atë që ndihmon në mënyrë spontane, edhe pse nuk ka asnjë lidhje me personin që mund të jetë edhe i panjohur. Nuk është e vërtetë që njeriu është një qenie mizore, madje është e kundërta.

Ndihma spontane

Altruizmi është spontan më tepër te fëmijët, para se të mësohen. “84 për qind e fëmijëve që janë 18 muajsh “ndihmojnë” në mënyrë spontane brenda 10 sekondave atë që ka nevojë”, thotë Felix Warneker në Institutin Max Planck në Gjermani, i cili pas një serie të gjatë eksperimentesh ka treguar se teksa shimpanzetë ndihmojnë të tjerët nëse marrin diçka në këmbim, të vegjlit ndihmojnë edhe nëse nuk marrin asgjë në kthim.

Hormonet e shoqërisë
Gjestet e altruizmit, ka treguar psikologu amerikan Charles Snowdon, rrisin prodhimin e prolatinës (hormon që favorizon bashkëpunimin social) dhe të oksitoksinës (që stimulon besimin, dashurinë për fëmijët). Një studiues zviceran i Universitetit të Zyrihut, Ernst Fehr, ka provuar që t’u japë oksitoksinë disa vullnetarëve, të cilët janë të përfshirë në një marrëveshje ekonomike: pjesëtarët kanë rënë dakord menjëherë dhe janë treguar të gatshëm për investime frytdhënëse, edhe me persona që i takonin për herë të parë. Edhe empatia, aftësia për të kuptuar emocionet e të tjerëve, “të vihesh në vendin e tjetrit”, është sinonim me altruizmin. Mund të jetë biologjike, por mundet që të jetë e zhvilluar edhe nga edukimi.

Sensi moral
Në 1871-shin Darwin shkruante: “Ndoshta morali dallon njeriun nga kafsha. “Bëju të tjerëve atë që do të dëshironin që të ta bënin ty” është rregulli thelbësor i moralit. Ky rregull ekziston në të gjitha besimet dhe filozofitë laike.

Historia e moralit
Kjo piramidë përshkruan nga poshtë lart 1,5 milionë vitet e zhvillimit të moralit njerëzor. Rregulli i artë “Mos u bëj të tjerëve atë që nuk do të doje që të ta bënin ty”, ka pësuar shtirje të gjerë duke filluar nga familja, komuniteti dhe shoqëria në të gjithë botën. Hapat e parë janë fryt i mekanizmave të thjeshtë të zhvillimit, por në 35 mijë vitet, udha e përshkruar është fryt i zgjedhjes kulturore. Tani, në rregullat e artë bën pjesë edhe biosfera.

Jetë, vdekje dhe mrekulli...në gjuhë

DELINA CICI

Përse kemi filluar të flasim? Si lind një gjuhë dhe si “vdes” ajo? Por mbi të gjitha, a mund të rilindë? Në këtë shkrim ne do t’ju tregojmë të gjitha sekretet e gjuhëve dhe zhvillimit të tyre...

"Ciao", "Hello", "Hola", "Servus", "Ia orana", "Woapanacheen":
Janë vetëm disa mënyra përshëndetëse, por ekzistojnë edhe shumë të tjera. Janë të shumta gjuhët që fliten në të gjithë botën. Janë rreth 6000. Shifra ekzakte është e vështirë të përcaktohet sepse shpesh nuk ka një dallim ndërmjet gjuhëve dhe dialekteve dhe mbi të gjitha në pellgun e Amazonës, në Afrikën Qendrore dhe në Guinenë e Re, shpesh vazhdojnë të zbulohen gjuhë të reja.
Gjuhët shërbejnë për të komunikuar, për të shkëmbyer mendimet, ndjenjat dhe bëjnë pjesë në identitetin kulturor të një popullsie.

Fjalët e para primitive...
A është e mundur të përcaktojmë se kur njeriu ka thënë fjalën e parë? Të parët tanë, ende në statusin e Homos (jo sapiens), nuk ishin në gjendje që të formulonin fraza. Sipas ekspertëve, as Homo erectus dhe as habilis dhe austrolopitekët nuk kishin aftësinë fiziologjike për të komunikuar.
Kishin dyshime edhe nëse konsideroheshin folës neandertalët, njerëz shumë të ngjashëm me ne, të cilët kanë jetuar në Evropë që nga 70 deri në 35 mijë vjet përpara.
Paraardhësit tanë fillimisht merreshin vesh duke lëshuar disa bashkëtingëllore dhe zëra, por mbi të gjitha gjeste. Pas shumë kohësh dhe pas një procesi të gjatë zhvillimi, me lindjen e Homo Sapiens lind gjuha e artikuluar, rreth 40 mijë vjet përpara në Evropë dhe në Afrikën e Veriut.

Familja e madhe e gjuhëve
Gjatë Paleolitit, kur edhe zhvillimi artistik kishte marrë një drejtim me një prodhim të madh të manifakturave dhe objekteve artistike, burrat ishin gati si nga ana fizike, ashtu dhe nga ana anatomike për të folur. Në vazhdim, filloi të kishte një lindje të gjuhëve të ndryshme, edhe pse sot shumë nga këto të fundit kanë mbetur një mister.
Mjaft që të mendosh për gjuhën që ne flasim sot. Kështu p.sh., shqipja, italishtja, etj., bëjnë pjesë në familjen e madhe të gjuhës indoevropiane, por që është shumë më e vjetër se kaq. Të parët që kanë folur këtë gjuhë kanë qenë ‘kurganët’, popull në zonën jugore të Rusisë, që më pas pushtuan Evropën dhe Azinë jugore. Para gjuhëve indoevropiane, çfarë flitej në Evropë? Vështirë ta thuash, edhe pse prezenca e gjuhës baske na jep një pikënisje. Kjo gjuhë është në fakt e vetmja dëshmi e mbetur e një gjuhe të folur, e cila flitet akoma edhe pse shumë e vjetër dhe që nuk afron fare me gjuhën indoevropiane. Origjina e saj? Nuk mund ta përcaktojmë, pasi ka humbur në kohë.

Vende të ndryshme, gjuhë të ndryshme
Në botë, përveç gjuhës indoevropiane ekzistojnë edhe 20 familje linguistike me histori dhe me paraardhës të ndryshëm, që nëpërmjet emigrimit dhe kolonizimit janë shpërndarë në botë. Për t’i dhënë formën, kanë kontribuar edhe kushtet ambientale. Kështu p.sh., populli indigjen në zonën arktike e përshkruan me terma të ndryshme fjalën “borë” dhe gjendjet e saj të ndryshme: kur bie, kur ngrin dhe kur shkrin. Në të njëjtën kohë, disa popuj që jetojnë në pjesën më të largët veriore, të cilët flasin me dialektizma të ndryshme, fjalën “borë” e kanë përcaktuar me terma të ndryshëm.
Nëse diçka nuk ekziston, çfarë nevoje ka që t’i vëmë një emër? Në disa ishuj të Guinesë së Re, të vetmet kafshë të pranishëm kanë qenë gjithmonë dosat. Kur evropianët futën në fjalor fjalën mace, indigjenët filluan që t’i thërrisnin dosa, për shkak të kthetrave të tyre kur ngjiteshin nëpër pemë. Nga kjo rezultoi edhe emri i një komune të vendit. Në një farë mënyre, të mos pasurit e një fjalori nuk do të thotë që të mos kesh fantazi. Pirahët janë një popull që jetojnë në Amazonë, ku nuk numërohen më shumë se 200 njerëz. Ata nuk e dinë pse në fjalorin e tyre (të folur) nuk gjenden numra të mëdhenj: me sasinë e madhe, i vetmi term që ata përdorin është “shumë”.
Sipas gjenezës dhe historisë së fjalëve është e mundur që të verifikosh transformimet e menjëhershme të gjuhëve në kohë. Duke parë një film të viteve ’40-të, ose duke lexuar “Komedinë Hyjnore”, bie në sy ndryshimi i gjuhës. Nëse për disa nga ne “Ferri” i Dantes është akoma i lexueshëm, në anglishten ose në frëngjishten e ‘400 ai as nuk mund të konceptohet, pasi është shumë i ndryshëm nga e folura e ditëve tona. Shpeshherë ndryshon tingulli i një fjale, ndryshon ana gramatikore, apo futen fjalë të reja, të cilat hyjnë menjëherë në fjalor. Fjalët e reja mund të jenë zhvillimi i një fjale të vjetër, ose shkrirja e dy fjalëve të ndryshme, të cilat vijnë nga gjuhë të tjera. “Blitz” (nga gjermanishtja) ka qenë importuar nga italishtja. Kështu ndodh edhe me fjalët që ne kemi huazuar nga italishtja dhe nga anglishtja dhe i kemi futur në fjalorin tonë të përditshëm. Gjuha prej së cilës huazohet më shumë në të gjithë botën është anglishtja. Një neologjizëm e suksesshme ka qenë fjala “cavaliere” (kalorës): e cila është marrë nga gjuha provansale, 1000 vjet më parë, e cila është akoma në përdorim në Itali.
Nëse një gjuhë nuk arrin të zhvillohet, që të krijojë fjalë të reja ose nëse ka shumë pak njerëz që e flasin atë, atëherë ajo mund të zhduket. Sipas të dhënave të fundit të UNESCO-s, gjysma e gjuhëve që fliten sot, janë në rrezik zhdukjeje. Si në rastin e gaelishtes, e cila mbeti e folur vetëm në ishullin e Manit: në 1974 vdiq Ned Maddrell, i fundit i cili e fliste këtë gjuhë. Jo vetëm ai që nuk kishte më se me kë të komunikonte, por edhe 50 gjuhë të tjera, sipas studimit të fundit, nuk kanë më bashkëfolës. Kështu, në shpëtim të kësaj të fundit, ka lindur një organizatë ndërkombëtare që punon në mbrojtje të gjuhëve që janë më pak të folura në botë. Mund ta gjeni në faqen e internetit http://www.sil.org/.
Gjuhët e forta që do të sundojnë janë kinezishtja, e cila flitet tashmë nga një në gjashtë njerëz në të gjithë botën dhe anglishtja, që brenda vitit 2025 do të jetë e përdorur nga pothuajse gjysma e popullsisë botërore.
Ndonjëherë rikthehen....
Është e mundur që një gjuhë të rilindë përsëri? Si p.sh., hebraishtja, e cila ka mbetur në harresë që nga koha e Jezu Krishtit, përdoret vetëm në ceremoni fetare dhe në shkrime të shenjta, por nuk flitet më. Kjo gjuhë, e cila është rikthyer në formën moderne, që nga 1948 është gjuha zyrtare e shtetit të Izraelit.
Gjuhë tavoline
Si të mos mjaftonin 6000 gjuhët natyrale, tani ka edhe nga ata të cilët shpikin gjuhë të reja. Studiuesit dhe linguistët kanë krijuar fjalë dhe gramatika të gjuhëve artificiale. Për të përmirësuar komunikimin kanë lindur gjuhë si esperanto. Kështu që gjuhët artificiale krijohen, promovohen, mësohen dhe përhapen, dhe me kalimin e kohës fliten.

Qytetet që kanë dominuar botën

Histori
Super-qytetet

DELINA CICI

Shpeshherë kanë qenë pika shumë të rëndësishme kulturore, tregtare apo ushtarake. Qendrat e mëdha urbane kanë drejtuar historinë e njerëzimit për shekuj me radhë. Historiku Fernand Braudel i quante “qytetet botërore”. Ja se cilat janë më të rëndësishmet

Në Tebe, tempujt shekullorë

Është quajtur Nuit dhe për rreth një shekull ka qenë kryeqyteti i Egjiptit. Ka qenë vendi më i madh, më i pasur dhe më potent në botë. Ngrihej në dy anët e lumit Nil: në anën orientale ishte “qyteti i të gjallëve” me pallatet e faraonëve dhe në anën perëndimore ishte “qyteti i të vdekurve” me tempuj, varre të faraonëve. Kishte rreth 650 mijë banorë.
Hidraulikë
Sekreti i suksesit të Tebes kanë qenë inxhinierët egjiptianë. Në Tebe ngriheshin tempuj monumentalë në të cilin “qëndronin” zotërit. Të gjitha vendet e tjera ishin të ndikuara nga qytetërimi i Egjiptit: duke filluar nga grekët e deri te romakët. Kulti i Iside dhe Osiridës, por edhe arkitektura e tempujve të mëdhenj, është krijuar në këtë vend.

Athina, forca e mendimit dhe politikës
Në fillim të shekullit V para Krishtit, Athina bëhet vendi më i rëndësishëm. Merita ishte e tregtarëve, si dhe e kolonive të cilat u shndërruan më pas në një qendër të pasur tregtare me rreth 400 mijë banorë dhe 3 porte. Fitorja ndaj persianëve bëri që të fitojnë supermacinë mbi qytet-shtetet e tjera. Nën qeverisjen e shkurtër të Perikliut, qyteti u pasurua me ndërtime arkitekturore, ku më të njohura u bënë Partenoni, Propilei dhe Akropoli. Madhështia e këtij vendi është e lidhur më tepër me forcën e mendimit, se sa me forcën ushtarake.
Filozofë
Jo më kot është quajtur edhe vendi i politikanëve dhe filozofëve të mëdhenj. Është vendi në të cilin ka lindur dhe është zhvilluar filozofia, që prezantohet denjësisht nga Sokrati, Platoni dhe Aristoteli. Përdorimi i arsyes, shkenca dhe arti u bënë protagonistë të historisë së këtij vendi.
Demokracia
Risi në këtë “polis” ishte edhe qeverisja e zgjedhur: fuqia u besohej qytetarëve meshkuj dhe të lirë. Me aplikimin e demokracisë vijnë paralelisht të drejtat dhe ligjet e shkruara, rregullat në arkitekturë dhe skulpturë, por edhe teatri luajti një rol shumë të madh: një supermaci intelektuale dhe artistike që shënoi përgjithmonë një kthesë në qytetërimin perëndimor.


Aleksandria, qyteti i dijes
Shumë pak qytete kanë qenë pasqyra e epokës së tyre. E ndërtuar mbi kritere urbanistike “moderne” dhe racionale, është cilësuar si porti më i madh me farin e famshëm që është i gjatë 130 metra (një nga shtatë mrekullitë e botës). Bëhet vendi në të cilin takohen kultura greke dhe ajo egjiptiane.
Zemra e artit
Në kohën e dinastisë së Tolomeit, dinastia, e cila i përkiste edhe mbretëreshë Kleopatrës, bëhet vendi më artistik në qytetërimin helenistik. Gjithçka ruhej në bibliotekën e famshme legjendare të Aleksandrisë, ku mund të gjeje gjithçka, qoftë nga bota perëndimore, ashtu edhe nga ajo orientale. Aleksandria ishte një nga qytetet më të rëndësishme të antikitetit, sepse ishte një shoqëri multiraciale dhe multikulturore. Kishte rreth 1 milion banorë.
Edhe gjatë perandorisë romake, Aleksandria vazhdon që të mbajë ekuilibrin e saj, si dhe fillon të jetë përcaktuese në përhapjen e krishterimit. Ishte ky vendi ku filloi të zhvillohej teologjia, një përzierje mes filozofisë greke dhe mendimit kristian.


Roma ushtarake
Nëse Athina kishte arritur që të zotëronte botën me anë të mendimit, Roma arriti ta zotëronte atë me forcën ushtarake. Roma ishte qyteti i parë kozmopolitan. Sekreti i vërtetë i fuqisë së saj ishte bashkëpunimi me qytete të tjera.
Teknologji e lartë
Roma ishte metropoli i parë “modern”: ishte e ndarë në 14 lagje(zona), 9 qendra kryesore, në të cilat ngriheshin ndërtesat kryesore dhe 30 biblioteka.

Kostandinopoja, prova të globalizmit
Është quajtur Bizanti nga grekët dhe Stambolli nga turqit. Ishte ndoshta vendi i parë “i globalizuar”. Kostandinopoja ka qenë qendra politike, religjioze dhe kulturore e perandorisë bizantine.
Monumentet
Porti i saj ishte pozicion strategjik për tregtarët mes orientit dhe perëndimit. Simboli i fuqisë së saj bëhet Shën Sofia (xhamia dhe muzeu) më i madh në botën kristiane të asaj kohe. Kostandinopoli ishte edhe një kryeqytet “global”, sepse ndikoi në qytetërimet e ndryshme edhe pse shumë larg tyre, që nga ajo arabe e myslimane, deri tek ajo e krishterë. Në epokën e saj të artë qyteti kishte rreth 750 mijë banorë.

Parisi, vendi elitar

Kryeqyteti i Francës që nga 987 ka qenë qendra kulturore e Evropës. Në 1200 Parisi ishte vendi më i populluar i Evropës (kishte rreth 200 mijë banorë), por fuqia e këtij qyteti qëndronte në anën kulturore, falë themelimit të universitetit, ku jepnin mësim mendjet më të ndritura të asaj epoke. Parisi ka ngelur kryeqyteti me kulturën më të gjerë në botën perëndimore.

Venecia kapitaliste

Kontributi në historinë e qytetërimit ka qenë kryesisht ekonomik. Modeli republikan i qeverisjes i siguroi Venecias një periudhë të gjatë stabiliteti. Rreth viteve ‘400 dhe ‘500, Venecia ishte një nga qendrat e tregtisë më të rëndësishme në Evropë, me rreth 250 mijë banorë. Bankierët venecianë patën ndikim shumë të madh në këtë fushë. Shitjet dhe blerjet e mëdha bëheshin mes tyre. Dukati i artë venecian bëhet monedha më e përdorur për transaksione dhe për akumulimin e kapitaleve nga kompani të ndryshme tregtare. Këtu fillon baza e një modeli të ri ekonomik: kapitalizmit.

Londra, industri dhe bursë
Kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar, që në vitin ‘700 numëronte 600 mijë banorë, shumë nga të cilët merreshin me tregti dhe profesione të tjera.
Fuqi globale
Londra ka qenë mbi të gjitha qendra kryesore në revolucionin industrial në ‘800 (jo rastësisht u quajt “shekulli britanik”). Për herë të parë në histori, hyri në skenë proletariati urban, duke shenjëzuar krijimin e shoqërisë moderne. Falë revolucionit industrial, Londra u bë fuqia e parë ekonomike globale dhe moderne. Këtu lind merkatoja e parë financiare(la city). Londra ka qenë edhe qyteti i parë teknologjik: transport me kosto të ulët për të gjithë banorët dhe ndriçim të mirë publik. Për t’i bërë ballë këtij zhvillimi demografik, që u shkaktua nga rritja industriale, u ndërtua në 1863 linja e parë metropolitane, e cila lidhte qendrat kryesore.


Sevilja, rruga për në Amerikë

Sevilja, me një popullsi prej 500 mijë banorësh, ishte trampolina për botën e re, për tokën e premtuar, Amerikën. Pas 1492, falë monopolit tregtar të krijuar me Amerikën e sapozbuluar, vinin produkte të reja. Kështu që në këtë kohë u eksperimentua një model i ri ekonomik: kolonializmi.
Përveç kësaj, Sevilja ka qenë edhe një vend me një kulturë shumë të pasur dhe të gjerë.



Honk Kong, këtu është e ardhmja

Hong Kongu ka mbetur një qendër industriale me rëndësi botërore. Ndër qytetet që kandidojnë që të bëhen qendra e qytetërimit të Paqësorit, janë: Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kina dhe Australia, që sipas studiuesve të ndryshëm do të dominojnë botën e së ardhmes.
Ultrakapitalist
Sot Hong Kongu është një model “ultrakapitalist” dhe ka demokraci të kufizuar.


Nju-Jork, pika e takimit

E krijuar nga koloni holandeze në 1625, me emrin Nju-Amsterdam, pas 40 viteve e marrë nga britanikët ka pësuar një rritje të madhe nga mesi i shekullit XIX dhe vazhdon të ketë edhe sot. Nju-Jorku është qendra më e madhe e fuqisë financiare botërore, falë bursës së “Wall Street”.
Pasuria e vërtetë e Nju-Jorkut kanë qenë emigrantët. Mes ‘800 dhe ‘900, miliona evropianë, afrikanë dhe kinezë kontribuuan për ndërtimin e gradaçielave dhe ndërtesave të tjera të rëndësishme. Kështu që mund të themi se Nju-Jorku është një “vend shkrirje” i kulturave të vendeve të ndryshme. Jo më kot thonë se Amerikën e kanë bërë emigrantët. Edhe pse Nju-Jorku nuk ka qenë asnjëherë kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është bërë “kryeqyteti i botës”, falë pallatit të Kombeve të Bashkuara.

Shitja e ...... lajmeve

DELINA CICI

Punojnë pothuajse 365 ditë në vit, për të na mbajtur të informuar mes erës dhe pluhurit. Rrëfyes, guida, përhapës së kulturës dhe menaxherë. Më poshtë ju rrëfejmë profesionin e gazetashitësve. Një profesion unik në botë

Zgjohen që në pikë të mëngjesit për të na shpërndarë lajmin më të fundit. Janë gjithmonë aty, të fiksuar në një qoshk rruge, ku shpërndajnë qindra mijëra informacione të gazetave dhe revistave. Janë udhërrëfyes shumë të mirë, dinë të tregojnë se ku është stacioni më i afërt i autobusit dhe lexojnë gratis lajmin që del. Bëhet fjalë për gazetashitësit, të cilët janë të shumtë në të gjithë botën.

Nga gazetashitës në menaxher
Janë të kudondodhur. Në çdo lagje të vendeve të ndryshme ndodhen të tillë. Figura e gazetashitësve ka ndryshuar: është rritur niveli i tyre (sot shumica janë të diplomuar, ose të paktën të arsimuar). Janë transformuar në menaxherë poliglotë (për shkak të librave, gazetave dhe revistave të shumta që shesin në ditë), por edhe në psikologë dhe rrëfyes.
Ky profesion unik është krijuar në Brooklyn, për shkak të shpërndarjes së gazetës “New York Sun”, që në 1833 inauguroi epokën e gazetave. Për vite të tjera me radhë, nëpër cepa rrugësh, gazetashitësit bërtisnin për lajmin më sensacional. Kjo gjë zgjati deri në ardhjen e televizionit, një mjet ky që e komunikonte lajmin me figurë direkt nga shtëpia.

Lloje gazetash
Gazetashitësit janë shumë të privilegjuar në qytet. Privilegji i tyre janë banorët: një klientelë, përveçse e madhe në numër, edhe e famshme. “Klientët e mi? Sylvester Stallone, Gerard Depardieu, Christian De Sica”, tregon Francesco Manzari, i cili nga viti 1977 ka qenë gazetashitës në Romë. Pas disa vitesh eksperiencë në këtë fushë i ka ndarë njerëzit e gazetave në gjashtë tipa. “Ka gjithmonë: 1) zhvatësit, të cilët e lexojnë kot gazetën; 2) të shkujdesurit, të cilët harrojnë vazhdimisht diçka, duke filluar që nga portofoli ose çelësat, 3) i shpejti, i cili nuk përshëndet asnjëherë, 4) i pavendosuri, që para se të zgjedhë bën tri herë xhiro në dyqan, 5)të bezdisurit, që bëjnë vetëm pyetje, 6) dhe nuk mungojnë asnjëherë pedantët, të cilët kërkojnë shumë informim. Pa përjashtuar këtu rastin e klasikëve, të cilët presin kur është boshatisur dyqani për të hyrë dhe për të blerë revistat pornografike.

Me kalimin e viteve kam vënë re se njerëzit që zgjedhin gazetat e ndryshme, kanë një stil të veçantë veshjeje. Shpesh, ata të cilët blejnë “La Repubblica” vishen thjesht, ndërsa lexuesit e “Corriere della Sera” janë më formalë”, vazhdon Manzari. Për të zgjedhur këtë zanat, duhet të kesh aftësi të caktuara, kryesorja është që të kesh takt. “Përveç kësaj, nevojiten edhe saktësia, simpatia, mirësjellja, por edhe kujtesa e hekurt për t’i shërbyer sa më mirë klientit”, tregon Maurizio Bucchi, një gazetashitës i ri. Miti i këtij sektori është Jean Ruoaud (gazetashitës francez), që në 1990, me librin “Fusha e lavdisë”, fitoi çmimin “Goncourt” duke u bërë një shkrimtar shumë i suksesshëm.

“Leximi është një detyrë profesionale, edhe pse nuk kam shumë kohë”, tregon ai. Më lart treguam se përveçse gazetashitës shumë të mirë, këta të fundit kanë aftësi shumë të mira menaxhimi për shkak të numrave të shumtë që vijnë për t’u shitur, ato që shiten dhe të tjerat që kthehen mbrapsht. Të gjitha llogaritjet gazetashitësit i bëjnë vetë. Gazetat më të mira dhe më të shitura kanë një numër më të madh kërkese nga ana e menaxherëve. Thelbësor në këtë profesion është kontakti njerëzor. “Është ana më e bukur e kësaj pune”, tregon Bucchi.

“Ndryshe nga profesionet e tjera, ky profesion të jep mundësinë të njohësh njerëz të panjohur, të kalosh orë të tëra me ta duke shkëmbyer mendime, duke filluar nga ato politiket deri tek ato sportivet. Një herë më erdhi në dyqan një njeri, i cili për një muaj rresht më tregonte për hallet e tij”. Gazetashitësi më i mirë, natyrisht di se si të shesë sa më shumë. Shitja e gazetave, revistave, librave, mjeteve nuk është e thjeshtë. Sa më shumë që një produkt të jetë i ekspozuar, aq më mirë shitet. Pika më e mirë? Përveçse brenda dyqanit, duhet që të jetë edhe një stendë jashtë, e cila tregon atë çka gjendet brenda. Kështu që lexuesve të interesuar u mjafton një shikim, për të marrë atë që dëshirojnë.

Por sa fiton një gazetashitës? Jashtë vendit, rreth 3500 Euro në muaj. “Kush zë një vend të privilegjuar p.sh., në qendrën kryesore të një metropoli, është me shumë fat. Paga e tij mujore mund të arrijë deri në 10 mijë euro, sepse në të njëjtat vende mund të gjesh edhe biletat e metrove, të cilat janë shumë të përdorshme në botë”, sqaron Armando Abbiati, presidenti i SNAG. Aspektet pozitive nuk mungojnë. Shpeshherë cilësohet si një profesion ideal.

Profesion fitimprurës
Janë të përditshmet, cigaret, enciklopeditë, revistat, veçanërisht pornografike, biletat e metrove, artikujt që mund t’i gjesh në çdo stendë gazetash. Shpeshherë, shitja e tyre rritet me rastin e festave të ndryshme. Shitja rekord arrin për Vitin e Ri, duke qenë se njerëzit marrin pushime dhe duan të informohen me atë që ndodh në vend dhe në botë.
“Sot, të përditshmet mund të shiten edhe nëpër supermarkete, bare, benzinate, por vetëm me autorizimin e komunës, në bazë të banorëve dhe vendeve të tjera nga ku shiten gazeta.

Orare të tejzgjatura, smog dhe rreziqe të tjera
Ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Në klasifikimin e zanateve më të këqija të bëra në Amerikë nga “New York Times” rezulton se ky është një nga tre zanatet më të këqija. “Për fat të mirë, nuk jemi në Nju-Jork. Normalisht, si çdo gjë tjetër, edhe ky profesion ka anët negative. Nisur nga orari i hapjes, nga ora 6 e 30 deri në 20:00 si dhe ana më e keqe është se nuk kemi asnjë ditë pushim gjatë vitit. Përveç kësaj, gazetashitësit janë të ekspozuar gjatë gjithë kohës në pluhur, në erë, në të ftohtë dhe në të nxehtë”, tregon Ermanno Anselmi, ish-gazetashitës.
Por situata është më e mirë në disa “kioska” të privilegjuara, në të cilat ndodhen stereo, televizor, frigorifer, kasaforta, tualete, kondicioner, kafe, etj., ku përveçse mund të informohesh, mund të kalosh edhe momente të bukura. Në dhjetë vjetët e fundit është rritur shumë numri i këtyre kioskave, të cilat janë shumë funksionale. Cilat do të jenë perspektivat e ardhshme?

“Pushtimi i vendit nga gazetat”.
E ardhmja e gazetashitësve
Ende nuk është aplikuar, por mendohet se në të ardhmen nuk do të ketë më gazetashitës. Ata që dëshirojnë të informohen, pas disa vjetësh do të kenë mundësi që gazetën e tyre të preferuar ta “xhetonojnë” në një makineri, e cila vetëm nëpërmjet një prekjeje të ekranit bën përzgjedhjen dhe për dy minuta gazetën tuaj e keni në duar. Është një metodë e shpejtë dhe shumë efikase pa dyshim. Por, një anë e keqe: nuk do të jetë më kënaqësia e shkëmbimit të ideve me gazetashitësin.


Çfarë ndodh në botë me këtë biznes?
Në Japoni, pjesa më e madhe abonohet te të përditshme të ndryshme, në Britaninë e Madhe dërgohen “derë më derë” dhe i kalojnë 4 milionë kopje në ditë. Në Afrikë ose në Lindje, gazetat shiten në rrugë, në stenda të improvizuara. Në Gjermani, Britani të Madhe dhe në SHBA nëpër kioska shitet një numër i limituar sepse numri më i madh konsumohet nëpër supermarkete. Në vendet nordike gazetat mund t’i gjesh kudo, edhe nëpër dyqane ku shiten fruta me një orar të kufizuar, deri në 17:00

Vendet e shitjes së gazetave

Vendet e shitjes së gazetave shpesh i kemi emëruar si kioska, stenda kur janë në rrugë. Edhe këto të fundit e kanë një histori, zanafilla e të cilave nis që nga romanët e lashtë. Italia është lider botëror në këtë fushë (në prodhimin e kioskave që shesin lajmet).
Ato eksportohen në të gjithë botën, duke filluar që nga Venezuela, Polonia, Franca dhe Libia. Modelet: për të gjitha shijet, nga kioska prej 2 m katrorë dhe atyre prej 80 metrash katrorë, me çmime që shkojnë nga 20 mijë deri në 100 mijë euro, ku ka aksesorë të shumtë si ajrim, tualet, etj. Nuk mungojnë edhe prodhimet “artistike” si modeli “Qendra e Romës”, “San Pietro”

Të gjitha sekretet e zemrës

DELINA CICI

Sëmundja kardiake, që të gjithë e njohin si infarkti, është një sëmundje e cila ndodh zakonisht te moshat e mesme dhe më të vjetra. Zemra është organi më i rëndësishëm në trupin tonë, që është ekspozuar para shumë rreziqeve. Më poshtë është shpjeguar nga një ekspert, i cili ka studiuar për shumë vjet me radhë se cilat janë rreziqet dhe si duhet t’i parandalojmë ato


Nuk mundet që të jetohet pa dashuri, po kështu nuk mund që të jetosh as pa zemër. Sa më shumë dashuri të kesh në zemër, aq më shumë dashuron. Këtë e kanë thënë poetët, filozofët, e thonë mbi të gjitha të dashuruarit dhe ndoshta është e vërtetë. Por zemra nuk është vetëm vendi ku fshihen ndjenjat e forta. Është edhe një organ vital, i cili është i ekspozuar para rreziqeve të pafund. E dimë se të jesh sëmurë nga sëmundjet e zemrës mund të jetë fatale. T’i njohësh këto rreziqe, do të thotë që të dish të mbrohesh dhe t’i parandalosh. Gjithmonë e më shumë po shtohen rastet e personave të prekur nga infarkti. Shumica e të cilëve humbasin jetën, ndërsa më fatlumët shpëtojnë, por me pasoja.
Françesko Romeo, drejtues i departamentit të kardiologjisë në Universitetin e Tor Vergata të Romës, autor i shumë kërkimeve të rëndësishme mbi këtë muskul (së fundmi: zbulimi i një proteine, loxina, e cila ndalon zhvillimin e aterosklerozës), flet gjerësisht për zemrën.

Çfarë është zemra?
Një muskul i përbërë nga katër dhomëza: barkushja e majtë dhe e djathtë, si dhe dy dhomëza të errëta, të cilat furnizohen me gjak nga aorta.

Ku gjendet?
Në mediastin, vendi në mes 2 mushkërive.

Funksionet e saj kryesore?
Zemra furnizon të gjitha organet me oksigjen dhe substanca ushqyese.

Janë shumë komplekse sëmundjet kardiake?
Po, shumë.

Përse?
Sepse klinikisht janë rezultati i një ndërveprimi ndërmjet faktorëve ambientalë dhe predispozitë gjenetike.

Cilët janë faktorët ambientalë?
Të ashtuquajturat faktorë rrezikues. Për iskeminë e zemrës (kardiopatinë iskemike) janë: hiperkolesterolemia, diabeti, pirja e duhanit, hipertensioni arterior dhe obeziteti.

Predispozita gjenetike me çfarë është e lidhur?
Me aktivitetin e ndryshëm të gjeneve që rregullojnë mekanizmat kryesorë të sëmundjeve.

Sëmundjet kardiake a mund të jenë të trashëguara?
Po.
Janë të shumta?
Jo, janë të pakta dhe të rralla.

Cilat janë sindromat?
Ato që përfshijnë aparatin kardiovaskular.

Vetëm këto?
Jo. Edhe forma të tjera të sëmundjes së zemrës.


Cilat janë sëmundjet e zemrës më të shpeshta?
Iskemia e zemrës: angina, infarkti i miokardit akut, vdekja e papritur koronarike.

Sëmundje të tjera të zemrës?
Kardiomiopatia, kardiopatia e lindur, valvulapatia reumatike dhe aritmi.

Kë prekin më tepër?
Zakonisht moshat e mesme, por ka raste që është një sëmundje e lindur.

Kur zhvillohen valvulopatitë reumatike?
Zakonisht në adoleshencë.

Kush është mosha më e rrezikuar e sëmundjeve iskemike të zemrës?
Mosha 50 dhe 60-vjeçare.

Simptomat e këtyre sëmundjeve?
E atyre të lindurave: cianoza dhe prishja e ekuilibrit të parakohshëm që në lindje.

Për sa i përket valvulopatisë reumatike?
Gulçime dhe edemë periferike si dhe aritmi.
Si shfaqet kardiopatia iskemike?
Me anginën shfaqet një lloj dhimbje, e cila ndërpret aktivitetin fizik. Po në infarkt?
Dhembja është më e gjatë dhe e pandjeshme ndaj nitrateve.
Është një dhimbje e cila shoqërohet me ndjenja të tjera?
Po: e vdekjes së shpejtë. Me djersë të ftohta dhe hipotension të theksuar.
Faktorët më të mëdhenj të rrezikut?
Sipas studimeve të fundit epidemiologjikë, faktorët e rrezikut janë: hiperkolesterolemia, pirja e duhanit, diabeti, hipertensioni dhe obeziteti.

Çdo formë e stresit ndikon në aktivitetin kardiak?
Jo, vetëm ai negativi. Vetëm ai që lidhet me ndjenjën që nuk i përballon dot problemet. Përveç kësaj, një efekt negativ ka edhe një dietë e çekuilibruar.

Pirja e duhanit është vërtet një “vrasës” i pamëshirshëm?
Përveç dëmeve që provokon në aparatin e frymëmarrjes, është një nga faktorët kryesorë për rrezikun e kardiopatisë iskemike.

Kur duhet të konsultohemi me specialistin?
Që në lindje, në rritje dhe në moshën e mesme, moshë e cila paraqet më tepër rrezik.

Në moshë të rritur sa shpesh duhet të paraqitemi te specialisti?
Pas të 40-ave, një herë në vit. Duhet të bëni një kontroll të përgjithshëm, një elektrokardiogramë normale, si dhe një skaner për faktorët të cilët shfaqin rrezik. Kur duhet t’i drejtohemi bisturisë?
Sot kardiologu mund të zgjidhë shumë situata me teknika të kardiologjisë intervencioniste.

Cilat situata?
Patologjinë koronare ose patologjinë vaskulare të lindur (defekti i ndarjes arteriale).
Cila është dieta më e mirë dhe më e shëndetshme?
Shumë fruta dhe zarzavate, si dhe substanca antioksidante.

Për sa i përket aktivitetit fizik?
Duhet të jetë i rregullt dhe i përditshëm.
Përse shpesh themi “zemër luan”?
Sepse e lidhim zemrën me forcën që e karakterizon këtë kafshë.
Përse themi “qesh me zemër”?
Zemra, kur mirëfunksionon lidhet me idenë e mirëqenies dhe të lumturisë. Përse themi “hap zemrën”?
Sepse zemra është konsideruar vendi i sekreteve dhe ndjenjave të bukura.
Zemra, ashtu siç thoshte Blaise Pascal, ka arsye që arsyeja nuk i njeh?
Po, sepse është një organ kaq i rëndësishëm, i cili kontrollon gjithçka.
Cilët janë të mëdhenjtë të cilët vuajnë nga zemra?
Janë të shumtë, por mund të veçoj Ugo Foscolo, Boris Eltsin dhe Bill Clinton.

Uji rus i mrekullive mund të kurojë kancerin dhe të rikthejë rininë


Uji rus i mrekullive mund të kurojë kancerin dhe të rikthejë rininë


DELINA CICI


Shkencëtarët rusë kanë zbuluar kurën e të gjitha sëmundjeve



Të tilla deklarata nga doktorë të klinikave lokale mund t’ju duken absurde në dëgjimin e parë. Por mos u nxitoni që të nxirrni konkluzione. Studiues nga dy institute të mirënjohur rus kanë arritur në një konkluzion për ujin e jetës. Të dy kanë në dorë kurën e cila do ju shërojë nga të gjitha sëmundjet.
Uji i distiluar ose “i vdekur” për herë të parë është përmendur në një projekt studim të vitit 1990. Në këtë kohë teoria e dy profesorëve, Valentine Samoylov dhe Oleg Zaymidoroga, dukej si një përrallë e bukur. Por tani askush nuk mund të qeshë më me zbulimin e këtij uji... nga kuzhinat e shtëpive. “Fillimisht e morëm nga një rubinet në një kuzhinë të zakonshme. Sigurisht që nuk u distilua përnjëherë. Na u desh që t’i hiqnim disa jone metalesh, mikroorganizma dhe papastërti të tjera. Urdhëroni provojeni pak. Ku tjetër do të gjeni si ky ujë?”, shpjegon Oleg, drejtuesi i një laboratori të vogël në Dubna.
Në intervistën që vijon, ju do të mësoni gjithçka për këtë ujë.

Si e zbuluat ju fuqinë e tij shëruese?

Gjithçka filloi me eksperimentimet e mia në Itali në fushën e fizikës. Duhej që të nxirrja një ujë të tillë për studimin tim, i cili nuk ka asnjë gjurmë radioaktiviteti dhe mikroorganizma.
Kështu që ne filluam të pastronim ujin e rubinetit. E filtruam dhe hoqëm 95 për qind të joneve të metaleve. Hapi tjetër ishte që të hiqnin pjesën tjetër të joneve radioaktivë nga izotopet e rënda të oksigjenit dhe hidrogjenit. Më në fund e pastruam nga të gjitha mikroorganizmat dhe rezultoi një ujë shumë i pastër, i dejonizuar, i cili ishte 1000 herë më steril se çdo zgjidhje tjetër artificiale.
Kështu që mendova: po sikur të pastroj pjesën e brendshme (pjesën e veshur) të ibrikut të çajit me këtë ujë? Gruaja ime e hodhi ujin në ibrikun e vjetër, që kishte një pjesë të veshur rreth tij. Pas zierjes së ujit të pastruar, e gjithë pjesa e veshur ra. Direkt më shkoi mendja te ndikimi që do të kishte uji në trupin e njeriut. Vetëm mendoni se sa njerëz do të shëroheshin me këtë ujë...
Shkencëtarët e ofruan menjëherë produktin e tyre në institutin e Vishnevsky dhe atë të Shën Petërsburgut. Kohët e fundit testet biokimike janë përfunduar. Besojeni ose jo, testet treguan se uji i mrekullive mund të kurojë infeksionet dhe tumoret.
Në rastin e helmimit të gjakut ky ujë ndihmon në pastrimin e menjëhershëm. Ndërsa për kancerin, ky ujë ka fuqinë që të ndikojë molekulën bio-energjetike ATF, e cila është e përgjegjshme për ndarjen qelizore. Kështu që, kur një pacient, i cili është i sëmurë me kancer, bën injeksione me ujin e distiluar, rritja e tumorit në organizmin e tij do të ndalojë.

Uji i mrekullive, a mund të kurojë kancerin?

Uji i distiluar shërben edhe për të sëmurët nga diabeti. Specialistët nga Shën Petërsburgu e konfirmojnë këtë. Ata u injektuan minjve këtë ujë, duke stimuluar në këtë mënyrë aftësinë e qelizave, të cilat kanë mbijetuar dhe prodhojnë insulinë. Uji është i nevojshëm edhe për modelet homoepatikë.

Do fillojmë që ta pimë rregullisht këtë ujë, të bëjmë çaj me të?

Do të ishte një çaj shumë i shijshëm, sepse do të përmbante shijen e gjetheve të çajit. Por për të pirë vetëm ujë të distiluar, duhet që të jeni të kujdesshëm. Unë e bëj vetë këtë gjë, pi nga 50 ml çdo ditë dhe kam harruar se dikur kam pasur probleme me zorrët. Ndërsa gruaja ime e përdor për qëllime kozmetike. Por problemi është se nëse pimë më tepër se ç’duhet, atëherë do të zhduket gjithë kalciumi, magnezi dhe kripërat e tjera, të cilat ndodhen në sistemi dhe do të fillojnë që t’ju dhembin gjunjët. Ky është një mjekim, duhet të merret me masë.

Si mund të përdoret për qëllime kozmetike?
Uji i distiluar mund të shërbejnë si pastrues tualeti për fytyrën. Çdo mbrëmje gruaja ime lan fytyrën me këtë ujë dhe ka filluar që të duket më e re. Kemi marrë leje dhe mund ta përdorim ujin si spraj fytyre. Ka ardhur koha që gjithçka të realizohet nëpërmjet këtij uji çudibërës.

Kini kujdes: Mos blini asnjëherë ujë me shishe blu, sepse është i rrezikshëm për shëndetin

Shkencëtarët nga “Qendra e Studimeve” kanë arritur në konkluzionin se uji i vendosur në shishet blu mund të jetë i dëmshëm, sepse pas disa kohësh mund të marrë zirkonium, një metal i cili i jep shishes një ngjyrë blu të lehtë

Si të fitosh 315 milionë dollarë dhe të shkatërrosh jetën

NGA DELINA CICI

Ka fituar çmimin më të lartë në historinë e lotarive amerikane dhe ka zbuluar se dollarët nuk të falin lumturi. Në më pak se katër vjet, sipërmarrësi i West Virginias ka humbur gjithçka: qetësinë, humorin dhe familjen

Sipas statistikave, 90 për qind e fituesve të lotarisë humbasin gjithçka në një hark kohor prej pesë vjetësh. Nëse është e vërtetë kjo statistikë, atëherë Jack Whittaker përfaqëson një përjashtim të rregullit, sepse para ka akoma dhe për më tepër ka shumë. Por, në kompensim me këtë ka humbur gjithë pjesën tjetër: qetësinë, paqen me vetveten dhe familjen.
Bashkëshortja e braktisi, mbesa e tij vdiq nga overdoza, ai vetë është grabitur disa herë, si dhe duhet që t’i përgjigjet një sërë denoncimesh për ngacmime seksuale, borxhe etj. Në Virxhinian Perëndimore, ku jetonte dikur, e quanin “Jack kauboji”, ndërsa tani, për amerikanët është mallkimi i Powerball, emri i lotarisë që e bëri shumë të pasur dhe të palumtur.

Kush beson në fat i shkon mendja se numrat e kombinuar fitues i kanë sjellë gjithë këtë histori të shëmtuar. Kombinimi i numrave fitues ishte: 5-14-16-29-53. Ndoshta ky fat i keq mund të jetë pasojë edhe i vendit të blerjes së tij. Vendi ku ishte blerë bileta ka qenë restoranti “Hurricane”, që do të thotë uragan dhe data e marrjes ka qenë dita e Vitit të Ri në 2002-in. Në orën 23:00 të mbrëmjes së asaj nate, pasi kishte dëgjuar numrat e lexuara nga prezantuesja e “Kanalit 3”, gruaja e kishte zgjuar për t’i thënë se kishte fituar çmimin e dytë, i cili konsistonte në plotësimin e katër nga pesë numrat e vënë në lojë.
Whittaker, i cili ishte mirë ekonomikisht, për shkak të biznesit të tij ndërtimor, bie që të flerë sërish, duke menduar se kishte fituar 100 mijë dollarë ose më tepër. Vetëm ditën tjetër, teksa po shkonte në një restorant për të ngrënë mëngjes (në vendin ku kishte blerë biletën) kuptoi se televizioni kishte gabuar.

Bileta e tij i kishte të gjitha numrat fitues. Në atë moment, ai kishte fituar çmimin më të lartë të dhënë në historinë e lotarive amerikane, një shifër plot 315 milionë dollarë. Jack bën menjëherë llogaritjet dhe pranoi të paguhej menjëherë.
Me gjithë llogaritjen e taksave, ai futi në xhep shumën e fituar. Mjaftueshëm për t’i lënë kamariere Brendës një bakshish prej 100 dollarësh. Këto lekë i erdhën në ndihmë për të blerë një shtëpi dhe një makinë të re.
Pas fitores, Whittaker bëhet klient i rregullt i kazinove.
Në deklaratën e tij që dha në televizion, Xheku tha se 10 për qind të fitimit, do të çonte për bamirësi. Ai do të ngrinte një fondacion të ri dhe do të rikonstruktonte një kishë të re: “Dua që të jem një shembull i mirë dhe t’i bëj të gjithë të ndihen krenarë për këtë fitore”.

Menjëherë të gjithë menduan se tani që kishte para të mjaftueshme do të zgjidhte përfundimisht problemin e tij me buzëqeshjen, pasi në gojë nuk kishte dhëmbë. “Kam Zotin pranë meje”, thoshte ai, pa e ditur se çfarë do e priste më vonë. Pas pak ditësh, në Capodanno, Jack hyn në “Pink Pony”, një klub striptistesh dhe lë 50 mijë dollarë.
Për zonën në të cilën ai ka pas jetuar më parë, një shumë e tillë parash ka qenë marramendëse: për pak ditë, Jack filloi që të kërcënohej nga njerëz të ndryshëm, saqë u desh që të punësonte 3 badigardë (mbrojtës trupi) për ta mbrojtur. Pasi kishte fituar shumën miliardere, Jack Whittaker shkonte shumë rrallë në shtëpi. Kohën e kalonte në lokale nate dhe në bare, ku shëtiste nëpër tavolinat ku kishte njerëz prestigjiozë.

Sepse, ndryshe nga ajo që tha në televizor, paratë e ndryshokan njeriun. Pas 40 vjet martese nuk shkonte më të kalonte netët në shtëpi. Më pas, gruaja e tij e zbulon që ai u kap disa herë për ngacmime seksuale të kamariereve të kazinosë.
Në gusht të 2004-ës, Jack ishte tek “Pink Pony” dhe shkonte nëpër tavolina të ndryshme, duke thënë se “kam më tepër para se Jezu Krishti”. Papritur dikush hyn në makinën e tij dhe i vjedh 545 mijë dollarë. Paratë më vonë u gjetën në një cep të lokalit, gjë që të bën të mendosh menjëherë se fajtorët kishin qenë pronarët e lokalit. Jack tha se e kishin vënë në gjumë, duke i hedhur ilaç gjumësjellës në pijen e tij.
Pas disa javësh, një tjetër vjedhje: përsëri në makinën e Xhekut, rrëmbyesit vodhën 100 mijë dollarë. Rrëmbyesit u kapën nga policia. Ata kishin qenë tre shokët e ngushtë të mbesës së preferuar, Brandi.

Në kohën e fitimit të çmimit, vajza ishte 15 vjeç. Ëndrra e saj ishte që të njihte reperin Nelly dhe të blinte një makinë të tipit “Mustang”, me të cilin do të shëtiste gjyshin e saj. Në periudhën më delikate të rritjes ajo u gjet krejt e vetme. Jack, që për Brandin ishte si një baba, ishte shumë i zënë me menaxhimin e projekteve private për të dërguar miqtë e tij në kazinonë e Atlantic City. Ndërkohë që e ëma ishte shumë e zënë me ndërtimin e shtëpisë madhështore, saqë komshinjtë mendonin se do të ishte një hotel.
Ndërkohë që gjyshi dhe e ëma i jepnin shumë para në dorë vajzës. Shifra mund të arrinte deri në 5 mijë dollarë në ditë, para të cilat Brandi i përdorte për të blerë kokainë. Një nga miqtë e Brandit vdiq për shkak të mbidozës në shtëpinë e saj. Prindërit e djalit kanë kërkuar që Jack të dënohet për pakujdesi. Brandi (mbesa e tij e preferuar) pas disa ditësh do të kishte të njëjtin fat si shoku i saj. Trupi i vajzës i pajetë u gjet në kopshtin e shtëpisë së një miku të vet.
Në atë pikë gruaja i thotë Jack-ut se gjithë fatkeqësitë erdhën nga ajo biletë “e mallkuar”. Pas kësaj e braktis të shoqin. “Jack kauboji” është denoncuar edhe nga disa kazino, për shkak të borxhit që ka me këto të fundit.

Fakti është se mallkimi i lotarisë ka qenë për të gjithë ata të cilët kanë pasur kontakt me këto para. Kisha që donte të rikonstruktonte, për shembull, është e kompletuar, por është gjithmonë bosh: quhet “Tabernacle of pray”, por e quajnë kisha e Powerball. Kështu ka ndryshuar edhe jeta e Brendës, kamarieres së restorantit, në të cilin mori biletën dhe i la asaj 100 dollarë. Pasi miqtë e saj kanë pushuar së foluri për mallkimin e atyre parave, ajo shiti edhe shtëpinë që i kishte dhuruar Jack. Tani jeton e vetme në një pyll dhe ka humbur gjithë kontaktet e saj. Por, kështu i pëlqen në një farë mënyre. Duhet të çohet sa më herët në mëngjes që të shkojë në punë, sepse i kanë rritur edhe rrogën (gjashtë dollarë e gjysmë ora). Është e lumtur, sepse në kohën e mëngjesit nuk e sheh më Jack-un.

Salman Ruzhdi

Çdo të thotë për një artist ta fotografojnë? Me të vërtetë një foto mund t’iu vjedhë shpirtin? Shkrimtari na rrëfen përvojën personale me Fiçard Avedon

NGA: DELINA CICI


Fasada e një studioje fotografike në jug të Londrës pret, po ashtu edhe muri i veshur me letër të bardhë të ndritshme pret, duke evokuar në mënyrë shumë kureshtare një mungesë: një hapësirë të shkretë në botë. Në galerinë e portreteve të Avedonit, subjektet kanë detyrën të mbushin e të përkufizojnë një hapësirë boshe. Dikur, dikush më tha se një bretkosë mbi një gjethe që pluskon mbi ujë i mban sytë (të cilët shohin falë lëvizjeve të paperceptueshme) aq të palëvizshëm sa nuk sheh asgjë, deri në çastin kur një insekt hyn në fushë-pamjen e tyre dhe bëhet me plot kuptimin e fjalës e vetmja gjë që bretkosa sheh, kapet pa asnjë lloj mundësie shpëtimi nga coha e bardhë e verbërisë artificiale e të përkohshme të saj. Tak, dhe në çast zhduket në gojën e bretkosës.

Të gjitha fotot kanë diçka të përbashkët me gjuetinë. Ushqimi i portretistit janë portretet. Në një episod, i cili ka ndodhur vërtet, që më pas e shtjellova në romanin “Bijtë e Mesnatës”, gjyshja ime i çau kokën një të njohuri tonit me aparatin fotografik, të cilin ky i fundit kishte guxuar t’ia drejtonte, pasi mendonte se në rast se ajo kuti do të arrinte të “kapte” një pjesë të çfarëdoshme të të qenurit të saj, do të mbetej pa të gjatë gjithë jetës. Atë çfarë e fitonte fotografi, e humbiste subjekti i fotografuar; makinat fotografike, ashtu si frika, hanin shpirtin.

Në rast se besoni te gjuha – gjuha në vetvete nuk gënjen kurrë, edhe pse shumë shpesh gënjeshtarët zotërojnë gjuhët më të gjata – atëherë aparati fotografik është një armë: fotografia një e shtënë, shërbimi fotografik një gjuhë dhe portreti mund të jetë fare mirë preja me të cilën gjuetari kthehet nga gjuetia. Një kokë e balsamosur, të cilën mund ta varësh në mur.
Nga ato që thashë më lart, merret shumë lehtë me mend se nuk më pëlqen aq shumë të më fotografojnë, që parapëlqej ta eksploroj një subjekt në vend që të bëhem vetë i tillë. Këto kohë, shkrimtarët fotografohen pa pushim, por në përgjithësi nuk bëhet fjalë për portrete të vërteta, janë imazhe për publicitet dhe çdo gazetë, çdo revistë duhet të ketë të sajat.

Zakonisht, fotografët që punojnë me shkrimtarët janë njerëz të sjellshëm. Mundohen me të gjitha forcat të të bëjnë të dukesh më mirë, gjë që nuk është gjithnjë e lehtë. Na kërkojnë ndonjë mendim mbi ndonjë gjë të caktuar. Arrijnë deri në pikën të lexojnë ato që shkruajmë.
Riçard Avedon është autor i disa prej portreteve më të mira të kohëve tona, por nuk është i sjellshëm për sa i përket asaj që sapo përshkrova. Ka hijen e një shqiponje të bardhë dhe i vëren subjektet, të vendosura në sfond të bardhë, me sy të akullt e të pazbërthyeshëm, qoftë kur bëhet fjalë për shkrimtarë, për personazhe të mëdha të planetit, të njerëzve anonimë apo edhe për babanë e tij në shtratin e vdekjes.

Ka shumë të ngjarë që teknika shumë e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, që Avedoni përdor për të realizuar portretet të jetë kundërpesha e nevojshme në universin e lustruar e të shkëlqyeshëm në të cilën zhvillon pjesën tjetër të jetës, duke qenë se është fotograf mode. Me portretet nuk bën para: bën punë. Ka të ngjarë që të ngacmohet nga fakti që në rastin e portreteve, njerëzit që ka përballë nuk i përkasin asaj tribune të re të krijuar nga aparati fotografik: tribuna e modelëve profesionistë.

Në rast se objektivi është një vjedhës shpirtrash, a nuk ka diçka faustiane në marrëdhënien mes modelit e fotografit, mes mefistolizmit të objektivit e vajzave e djemve rrezëllitës që marrin jetë, duke shpresuar përjetësinë (ose të paktën famën) përpara këtij vështrimi ciklopik? Modelet dinë të shohin, më të mirët dinë me saktësi çfarë sheh objektivi. Janë interpretues të sipërfaqes, manipulues të profileve të tyre të mrekullueshëm. Por përfundimisht, vështrimi i një modeli është krejtësisht artificial, është një vështrim që tregon vetëm një mënyrë të shikuari. Jashtë pune, modelët nuk reshtin së fotografuari njëri-tjetrin, duke gdhendur në celuloid çdo çast rrëshqitës së jetës së tyre – një shëtitje, një drekë, një takim të çfarëdoshëm. Geri Uinograd, i cituar në librin “Mbi fotografinë” të Suzan Sontag, thotë se fotografon për “për të kuptuar ç’pamje do të ketë diçka pas fotografimit” dhe këta subjekte janë zënë në kurth në mënyrë të ngjashme, nuk arrijnë kurrë të dalin jashtë fotogramës.

Bëhen citime të vetvetes, deri në çastin e pashmangshëm kur nuk përbëjnë më asnjë lloj interesi për objektivin dhe atëherë veniten për t’u zhdukur më pas krejtësisht. Historia e Faustit nuk ka fund të lumtur. Gjatë punës në ambientin e modës, Avedon është përballur shpesh me temën e bukurisë efemere (të shkurtër në kohë). Në një shërbim të kohëve të fundit, modelja e famshme Nadia Auerman shfaqet, e veshur me stilimet e emrave më në zë të kësaj fushe, në një përqafim surreal me një skelet të animuar që është, padyshim, një fotograf. Vdekja dhe vajza, një spektakël madhështor, i veshur nga stilistët më të mëdhenj të botës. Ka të ngjarë që Avedoni të ketë dashur të tallet me vetveten, skeleti dhe mjeshtri i madh, ka të ngjarë që të ketë dashur të aludojë edhe te fundi i fenomenit të quajtur top-model. Megjithatë, po kaq interesante është edhe pjesëmarrja e tij e vullnetshme në prodhimin e kushtueshëm e me sipërfaqe të ndritshme të mega-industrisë së veshjeve. Avedoni nuk ka asgjë të përbashkët me artistin e mbyllur brenda kullës së tij të fildishtë.

Kontrasti me portretet që realizon nuk ka si të jetë më i madh. Portreti është skena e boshatisur e Avedonit. A mos ndoshta, pyes veten, është e domosdoshme që këtyre bukurive të pazakonta u duhet bërë patjetër diçka – t’u mbulosh fytyrën me akull, t’i bësh të kërcejnë me skeletet – për t’i bërë interesante, ndërkohë që, ato jo të bukurat, fytyrat e jetës reale, janë të denja për t’u kushtuar vëmendje edhe (vetëm) pa i veshur me të tilla gjëra?
Një portret i madh tregon intimen. Cartier-Bresson dhe Elliot Erwitt kapnin foto të çastit, foto në ajër siç thuhet në gjuhën artistike. Shpesh puna e tyre është treguese, sepse subjektet janë marrë papritur. Avedon është më formal: aparati i vjetër fotografik qëndron mbi pllakën e trekëmbëshit. Në këtë kornizë, subjekti duhet të qëndrojë i palëvizur.

Kam parë punimet e shumë fotografëve. Ricordo Barry Lategan, me një beretë elegante më bombardonte me foto gjatë një interviste sa herë që unë i shprehja pëlqimin tim. I mora për t’i parë me shumë kujdes, i kushtëzuar nga punimet e tij të mëparshme. Kujtoj Sally Somaes, e cila më bindi që të shtrihesha në një divan me të, pak a shumë ishte sipër meje dhe më bënte foto siç i donte ajo, foto në të cilat kam një shprehje ëndërruese. Kujtoj Lord Snowdon, i cili rregulloi të gjitha mobiliet e shtëpisë time, duke vënë rreth meje disa gjëra indiane: një kuadër dhe një nargjile. Atë foto nuk e mbajta asnjëherë, sepse më dukej shkrimtari si krijesë ekzotike. Disa herë fotografët vijnë te ti me një ide(imazh) të krijuar dhe nuk ke se çfarë të bësh, vetëm t’i lësh në profesionin e tyre.

Kam parë punimet e shumë fotografëve, por nuk kam parë asnjëherë fotograf që të bëjë aq pak foto siç bën Avedon me makinën e tij të madhe. Ai e di ekzaktësisht se çfarë dëshiron dhe se është i lumtur me atë që bën. E pyesja veten dhe arrija në rezultatin që Avedon është një njeri që e ka kohën shumë të kufizuar. Disa fotografë ofrojnë më shumë se të tjerët, por vlerësimi i fotos dhe i fotografit është diçka që na përket vetëm neve(jo profesionistëve) që ta bëjmë të njohim më tepër anën e brendshme se sa atë të jashtmen.

Qëndroj ashtu siç dua. Nuk duhet të lëkundem as edhe një milimetër ose rrezikoj që të përfundoj jashtë loje. Është thelbësore. Duhet të mbaj shprehjen time për atë që më duket një përjetësi. Çuditem kur mendoj: këtu do të jem unë edhe pas disa kohësh edhe pse i ndryshëm. Kjo do të jetë fotoja e dikujt që po bën diçka të sikletshme, për të cilën nuk është mësuar. Shkund krahët dhe ia lë veten mjeshtrit. Është Richard Avedon i them vetes, kështu që bëje këto foto dhe mos e zgjat më.

Dy kuadro, një me një të zezë të papërshkruar dhe një tjetër në plan të parë me këmishë të zezë me vija të bardha. Pashë njëherë të parën dhe me thënë të drejtën mbeta i turpëruar. Më dukej se kisha një pamje satanike. Një anë e imja ia vinte fajin fotografit, ndërsa tjetrën ia hidhja vetvetes. Kur ritakova Avedonin, gjëja e parë që thashë ishte: “Atëherë, e urren?”. Nuk munda që të qesh dhe t’i thosha: “Është shumë e hijezuar”.

“Por fotoja tjetër është më simpatike”, më siguroi ai. Fotoja tjetër më pëlqente me të vërtetë shumë. Nuk besoj se “simpatike” është fjala e duhur për ta përshkruar(në realitet jam shumë i sigurt që “simpatike” nuk është fjala e duhur; ndonjëherë kam një pamje të lumtur, por nuk është ajo e fotos), por e ndiej ashtu siç i themi “moshën e njëjtë” me imazhin. Koka ka një formë të bukur, gjë që nuk më ndodh gjithmonë në foto, mjekra është e rregulluar dhe fytyra shpreh një melankoli të cilën nuk mundem që të mohoj.
Ndërsa fotoja tjetër, e zeza e papërshkrueshme bën shumë figurë. Por, gjithsecili, jam i sigurt që ka një mënyrë personale të të shikuarit të fotos. Shpreson që anët jo të mira personale të mos jenë shfaqur shumë në foto, shpreson që të mos të kesh një pamje të frikshme, shpreson që të mos e trembësh atë që po shikon fotografinë.

Do provoj që ta shikoj këtë foto, duke menduar se nuk jam unë subjekti. Richard Avedonit nuk do t’i interesonte aspak që të shkrepte foton një shkrimtari të kënaqur, i cili nuk ka asnjë problem në botë. Besoj se ai do që të ndjekë shembullin e portretit të shkrimtarit, i cili ka shumë halle mbi supe. Është një imazh i fortë dhe e falënderoj Avedonin për solidaritetin, për transparencën dhe për forcën e fotos së tij.
Refuzimet e mëdha

Kush ka refuzuar tituj nderi, çmime dhe së fundi para. Përse?


Dashuri, idealizëm, thjeshtësi, protestë ose hakmarrje... Refuzimet mund të kenë motivime dhe domethënie të ndryshme


NGA DELINA CICI

Ju thotë diçka emri i Grigori Perelman? Gushtin e kaluar i tha “jo” titullit, që çdo matematikan do të ishte i nderuar ta kishte. I izoluar me të ëmën e tij në një apartament në Shën Petërsburg, pasi kishte zgjidhur në disa fletë hipotezën e Poincare (një hipotezë, e cila i ka munduar shkencëtarët për qindra vjet me radhë dhe pa asnjë rezultat), shkencëtari rus, Grisha, (kështu e thërrasin miqtë), i papunë, 40-vjeçar, i cili jeton me një rrogë mujore prej 75 dollarësh, gjeti anën e formulës dhe hoqi dorë nga disa përfitime:
1. Fillimisht medaljen “Fields”, njëlloj si çmimin “Nobel”, por në matematikë, i cili dhurohet çdo katër vjet nga komuniteti ndërkombëtar; 2. Një shpërblimi prej 10 mijë eurosh; 3. Një pozicionim në Universitetin e Harvardit (SHBA); 4. Publikimit të punës së tij, në një revistë të specializuar; 5. Një milion dollarë, të cilat i kishte vënë në dispozicion Instituti i Matematikës në Boston (SHBA) për atë që do të zgjidhte një nga “shtatë problemet e shekullit”. Grisha nuk dha asnjë shpjegim për këtë refuzim. E vetmja gjë që ka thënë është: “Kam zgjidhur hipotezën dhe ky është çmimi më i madh që kam marrë ndonjëherë. Nuk dua të përfundoj nëpër vitrina”.

Ndërsa pyetjes se pse nuk e pranoi çmimin, një gazete australiane ai i është përgjigjur: “Sepse mendoj se nuk kam asgjë interesante për t’i thënë publikut. Atyre nuk do t’i interesojë shpikja ime”. Interneti e ka kthyer në një ikonë të antikonformizmit. Ndoshta imazhi i tij do të bëhet një poster, si imazhi i Ajnshtajnit me flokë të ngatërruara, i cili tregon gjuhën.
Nuk është i vetmi
“Refuzimi i madh” i Grigory Perelman nuk është as i pari dhe as i fundit. Me dhjetëra intelektualë të tjerë, sportistë, artistë, studiues kanë bërë të njëjtën gjë: kanë hequr dorë nga ajo që të gjithë njerëzit e ëndërrojnë dhe do ta kishin pranuar me shumë kënaqësi. Rastet janë të shumta: Cassius Clay, që heq dorë nga titulli botëror, Eduardi VIII, që nuk e pranon fronin, Marlon Brando, i cili nuk pranoi çmimin “Oskar”, Celestino V, i cili braktis papatin, fizikani Nikola Tesla, që nuk pranon çmimin “Nobel”, shkrimtari William Saroyan, që nuk pranon titullin e nderit etj. Të heqësh dorë nga një çmim ka shkaktuar shumë diskutim, sepse pikë së pari është thyerje e rregullave.

Për hakmarrje
Janë të shumta arsyet e të thënit “jo”: krenaria, protesta, frika, bindja e fortë dhe hakmarrja ndonjëherë. Secila gjendje ka shpjegimin e vet. “Sjellja e Perelmanit është tipike e atyre që njohin mirë vlerat e vetes, të cilët mbajnë për një kohë të gjatë një inat dhe së fundi kanë një përgjigje të tillë. Në kohën e vonuar, kur shoqëria ia njeh meritat, subjekti në fjalë refuzon gjithçka. Sinjali nga ky pikëvështrim është shumë i fortë. Këta karaktere janë më të fortë se paraja dhe se titujt. Pas pak kohësh, Perelman do të pendohet për atë që ka bërë, edhe pse nuk do ta pranojë asnjëherë pendimin”, sqaron Enzo Kermol, psikolog në Universitetin e Triestes.
Rasti i Grishës na kujton atë të Nikola Tesla-s, shkencëtari sllav, nga i cili ka marrë emrin një masë në elektromagnetizëm. I lindur në 1856-ën, fizikani Tesla ka qenë qesharak me zbulimet e tij, veçanërisht kur tregoi se kishte marrë një mesazh nga hapësira. Bashkëpunoi me Thomas Alva Edison (shpikësi i llambës) dhe ka qenë kandidat për çmimin “Nobel” në fizikë në 1912-ën dhe në 1915-ën. Për shkak të bindjeve të tij personale, ai kishte gjithmonë polemika me shkencëtarët e tjerë.
Ndërsa rasti i Marlon Brando ndryshon. Aktori me shpirtin rebel, që në 1973-in iu dha çmimi “Oskar” për interpretimin te “Kumbari”, e refuzoi për protestë.

Edhe Sartri
Brando ishte në kulmin e famës dhe suksesit të tij. Disa muaj pas refuzimit të çmimit të parë, pas daljes së “Tangos së fundit në Paris” u bë një tjetër nominim për çmimin “Oskar”. Disa kritikë e krahasuan refuzimin e Brandos me atë të Sartrit. Kur filozofi, në 1964-ën mëson se është i nominuar për çmimin “Nobel”, shkon menjëherë dhe përballet me sekretarin e Akademisë suedeze dhe i thotë: “Për arsye personale dhe objektive nuk dëshiroj që të jem në listën e kandidatëve. Nuk dua dhe nuk mundem që ta marr këtë titull nderi”. Ai kishte një karakter pasionant dhe tha “jo” për të respektuar bindjet e tij. Sartri e fitoi çmimin “Nobel”, por nuk e mori asnjëherë atë.

Për dashurinë
Ishte zemra e cila e shtyu Edward Albert Christian George Andrew Patric David Winsdor(1894-1972) që të bënte refuzimin më të madh të jetës së tij. Djali i Giorgos V, Mbreti i Britanisë së Madhe, Eduarti, ishte shumë joshës. Shkonte nëpër festa, ishte gjithmonë i rrethuar nga vajza të bukura. Një ditë u dashurua me Wallace Simpson, e cila ishte e divorcuar.
Kur Giorge V vdiq, ai kundërshtoi se do të ngjitej në fronin mbretëror, pasi ishte martuar me një grua të divorcuar dhe rregullat mbretërore nuk e lejonin një gjë të tillë. Kështu që në 20 janar të 1936-ës plasi skandali më i madh i asaj epoke, sepse në Britaninë e Madhe, mbretëria kontrollon edhe kishën dhe kisha nuk e lejon divorcin. Më në fund, Eduardi zgjedh Wally-in dhe ia lë kurorën të vëllait. Të dy martohen në Francë dhe në ceremoni nuk merr pjesë asnjë anëtar i familjes mbretërore. Eduardi dhe Wally nuk u pranuan më asnjëherë në oborrin mbretëror.
Për skuadrën e zemrës

Një tjetër “jo” për shkak të dashurisë ka qenë ajo e Gigi Rivës. Por në këtë rast nuk hyjnë femrat. “Futbollisti, deri në fund të viteve ’60, refuzoi dy herë transferimin nga Cagliari te Juventusi”, thotë Paolo Condo i “Gazetës sportive”.
Bardhë e zinjtë ishin skuadra më e lakmuar në Itali. Por Riva, me origjinë nga Lombardia, kishte luajtur gjithmonë në Sardenjë dhe për asnjë arsye nuk do të ndërronte skuadrën. “Në 1970-ën kokëfortësia e tij u shpërblye dhe skuadra, falë tij, fitoi kampionatin”, tregon Condo. Një rast analog është edhe ai i Cassius Clay (pas konvertimit në mysliman, Mohammed Ali), i cili në 1960-ën e hodhi medaljen Olimpike në lumin Ohio. Më shumë seç duhet principe, kurajo dhe krenari, sepse nuk mund të shpjegohen ndryshe zgjedhjet e këtyre personazheve.
Monarkët, a janë vetëm simbol?

NGA: DELINA CICI

Në ditët e sotme në Evropë republikat janë normale. Por dhe monarkitë nuk janë aq të rralla sa mendohet... Mes të gjitha republikave, ka disa vende që janë me shenja dalluese mbretërore. Janë 11 prej tyre. 7 mbretëri, 2 principata, 1 dukat i madh dhe një bashkëprincipatë. Mbi 140 milionë evropianë jetojnë nga një lloj monarkie në një tjetër. Asnjë tjetër pjesë e botës nuk mund të jetë e ngjashme dhe të krahasohet me to. Lindja e Mesme ka 5 monarki, Azia 4, Afrika 3 dhe në kontinentin amerikan asnjë. Evropa është në krye të kontinenteve për monarkitë.

Vetë monarkia paraqitet në forma të ndryshme. Spanja, Holanda, Danimarka, Belgjika, Suedia, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, janë mbretëri. Lihtenshtejn dhe Monako janë principata, Luksemburgu është dukat i madh dhe Andora është një bashkëprincipatë e drejtuar bashkërisht nga Presidenti i Francës dhe peshkopi spanjoll i Urgel. Shteti i Vatikanit nuk është monarki, por një shtet kishtar i drejtuar nga Papa.
Është e lehtë të listosh ato dhe emrat e drejtuesve të tyre, është relativisht e lehtë të përcaktosh ato, të përshkruash pozicionet kushtetuese të tyre, funksionet dhe sjelljet e veçanta. Por kjo lloj detyre nuk është më e lehtë se aktivitetet e parëndësishme. Çfarë do t’i duhej t’i shtohej kuptimit tonë për monarkitë bashkëkohore, për të ditur se gratë nuk lejohen të bëhen mbretëresha në Spanjë, Belgjikë dhe Norvegji, ose se nuk ka taksa në Monako, apo se kurorëzimi anglez në Westminister Abbey është vendosur mbi Gurin e Rrumbullakët e të vjedhur nga Skotët për të parandaluar ata për kurorëzimin e mbretit të tyre? Ajo na tregon neve pak ose aspak për forcën reale dhe ndikimin e monarkisë në fund të shekullit 20, për ndryshimet që ato bëjnë për popujt që jetojnë nën to.

Për këtë ne duhet të shkojmë kudo. Po ku? Mundohuni që të lexoni ndonjë raport të zhvillimeve aktuale politike në Evropë dhe do ta keni vështirë të gjeni një referim për ekzistencën e tyre. Ngjarja më e madhe në 50 vitet e fundit u bë pa to. Të zbulosh ndonjë gjë nga të gjithë mbretërit dhe mbretëreshat, princërit dhe dukët e mëdhenj, ka vetëm dy burime kryesore të informacionit: Histori dhe Hello!
Historia na tregon rreth paraardhësve të mbretërve dhe mbretëreshave aktuale në Evropë, burrave dhe grave, forca e të cilëve duket reale dhe e dukshme, oborret e të cilëve janë qendrat e vërteta politike në Evropë, vendimet personale të të cilëve – sikurse është treguar – filluan luftërat, zhdukën, përmbysën besime të vendosura, ndërtuan shtete dhe krijuan perandori.

“Hello” dhe faqet e revistave për stilin e jetës së tyre na tregojnë fasadën, shtëpitë dhe jetën sociale të mbretërve bashkëkohorë, princ William kënaqej më herët me diskot, Mbretëresha Beatrice me kopshtin e saj, Juan Karlos me luksin e veshjeve të ballove. Nga këto revista ne mësojmë për hobet e tyre, preferencat në veshje dhe ushqim, këndvështrimi i tyre për bregdetin e Barbadosës, për koleksionin më të fundit nga Versace. Kjo është shumë e treguar: megjithëse janë të privilegjuar, ata janë në thelb si ne, qoftë në jetën personale dhe atë politike. Mund të jetë e veçantë, mund të jetë edhe shokuese të dëgjosh analizat e tyre rreth legjislacionit të kohës, ose duke dhënë pikëpamjet e tyre për politikën e jashtme. Mbretëritë aktuale natyrisht janë pa fuqi politike. Në disa vende për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar ata e kanë faktikisht të ndaluar të japin pikëpamjet e tyre politike publike. Qeveria në monarki drejton në mënyrë demokratike në të njëjtën mënyrë si dhe në republikat. E përbashkët për të gjitha monarkitë është se historia e monarkisë – nga mbretërit dhe mbretëreshat e historisë në mbretëritë e Hello –s është një histori e humbjes së fuqisë.

Është e çuditshme se shumë kohë më parë monarkët filluan të luajnë rol në pushtetin politik. Në 1897 Britania e Madhe festoi me përmasa të papara Jubileun e Diamantë të Mbretëreshës Viktoria me të ftuar nga e gjithë perandoria britanike. Asgjë nuk do të mund të reklamonte në mënyrë më madhështore fuqinë mbretërore britanike, sikurse dukej. Por fakti ishte se Britania dhe Perandoria drejtohej nga Parlamenti, jo nga kurora. Viktoria kishte realisht pushtet të vogël, pushteti monarkik pikonte në kuptimin e vërtetë të fjalës nga shekuj më parë. Çështje interesante këtu është se shkëlqimi mbretëror nuk ndikon në pushtetin mbretëror. Për një kohë të gjatë çështja kryesore e mbretërisë ka qenë shkëlqimi pa pushtet. Për qindra vjet në fakt funksioni i vërtetë i monarkisë ka qenë simbolik, jo politik. Ndoshta pjesërisht gjithmonë ka qenë një institucion i dizenjuar për pamjen e jashtme.

Historia më interesante e monarkisë mund të ekzaminohet jo humbja e pushtetit të saj, por ndryshimet në simbolikën e saj gjatë kohëve, mënyrat e ndryshme me të cilat ajo i tregon vendit për veten, mënyrat në të cilat neglizhohet identiteti kombëtar. Gustav I i tregoi Suedisë se ata ishin luftarakë; mbretëria e portokalltë u thoshte holandezëve se ata ishin të pavarur. Mbretëresha Virgjinia, Elisabeta I, u thoshte se ata ishin perandorakë. Pasuritë dhe privilegjet që vazhdojnë të çudisin edhe pasi ata nuk kanë më pushtet, tregojnë sa e vlefshme ka qenë imagjinata për ata.
Pushtetet e tyre janë rrëfyese. Për monarkët besohet se janë mishërimi i të gjitha virtyteve të kombit, i drejtësisë, i nderit, njeriut elastik, të mësuar etj. Kjo nuk është argument se simbolet janë dorë e dytë krahasuar me pushtetin politik. Nuk bëhet gabim nëse bie fjala për forcën e simboleve. Por ato janë gjithashtu komplekse, simbolet mund të jenë konfuze ose me kuptim të dyanshëm. Një monark i prezantuar prestigjioz mund të duket si një i vetmuar imperial. Një monark që simbolizon forcën mund të duket arrogant. Si kryetar shteti, monarku mishëron idenë se një komb mund të jetë më i pastër se një politikan, shumë i vlefshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare të ndërlikuara. Por ekzistenca e mbretërisë dhe shtrirja e tyre, aristokracia, sugjerojnë një strukturë klasore që punon kundër ndryshimit të shoqërisë. Imazhi i mbretërisë është shpesh i vështirë të kontrollohet dhe kjo është pjesërisht, sepse nuk është pikërisht monarku që krijon dhe mban shëmbëlltyrën, por njerëzit.


Holanda ka pasur monarki që nga 1815. Kushtetuta e këtij shteti lejon kalimin e kurorës nga një burrë ose grua dhe anasjelltas. Në shekullin XX ka pasur tri mbretëresha në fron. E fundit ka qenë Beatriçja I në 1980. Pushteti politik është i ndarë mes parlamentit, qeverisë dhe mbretëresha duhet të firmosë çdo ligj të ri para se të zbatohet. Monarkia holandeze luan rol të rëndësishëm në ndryshimet e qeverisë. Sepse në monarkitë e tjera evropiane mbretëresha cakton një person që mban lidhjet mes partive për të krijuar qeverinë e re.

Mbreti i Norvegjisë, Harold V, është monarku i tretë që nga pavarësia më 1905. Çdo vit mbreti është i pranishëm në hapjen e parlamentit dhe mban fjalën e tij hartuar nga qeveria. Trashëgimtar i fronit norvegjez është djali i tij, Haakon Magnus. Parlamenti ka vendosur që në të ardhme të ketë të drejta të barabarta mes djalit dhe vajzës trashëgimtar për fronin.
Monarkia daneze është krijuar prej mijëra vjetësh nga Mbreti Harald. Mbretëresha e sotme, Margaret II, erdhi në fron në 1972. Ajo nuk është një spektatore e thjeshtë në çështjet politike të vendit: përshëndet popullin për vitin e ri në radio e televizion, shpreh hapur mendimin e saj dhe flet për probleme të ambientit, teknologjisë dhe rolin e gruas.

Mbretëria e Bashkuar filloi të zhvillonte monarkinë kushtetuese më herët se vendet e tjera. Ndërprerja e vetme e kësaj mbretërie ka qenë viti 1649 dhe 1660, kur vendi u shpall republikë për një kohë të shkurtër. Kanë vazhduar gjatë debatet që froni do të kalojë te djali i saj, Carli, apo direkt te nipi i saj, William.

Suedia ka pasur mbret për mijëra vjet. Në kushtetutën e vitit 1809 thuhej: “Mbreti është i vetmi që ka të drejtë të drejtojë vendin”. Në 1975 versioni kushtetues “Të gjitha autoritetet e shtetit vijnë nga populli. Lindja e vajzës së tij në 1977 shkaktoi një debat për trashëgiminë e fronit. Tre vjet më vonë parlamenti vendosi se atë mund ta trashëgojnë vajza ose djali.

Monarkia spanjolle e Burbonëve erdhi në fuqi në 1713 dhe mori fund para kohe në 1931, kur lindi republika dhe Mbreti Alfons XIII u detyrua të abdikonte. Pas vdekjes së Gjeneralit Francisko Franko në 1975, Spanja përsëri kishte një mbret Burbon, nipin e Alfonsit, Juan Karlos. Mbreti ka luajtur një rol domethënës në ndryshimet e vendit drejt demokracisë, përfshirë ndihmën për shmangien e tentativës për grusht shteti në 1981.

Monarku Leopoldi I është mbreti i parë belg. Monarku aktual, Alberti II, erdhi në fuqi në 1993
Spektakël dhe televizion

Moda shqiptare në Evropë

DELINA CICI

Para disa javësh, në Beograd është prezantuar denjësisht për herë të parë, Shqipëria në fushën e modës. Këtë radhë kanë qenë stilistët ata që kanë përfaqësuar anën tonë pozitive në një fushë të paprekur më parë. Anila Zajmi, Ardi Asllani dhe Zina Kondi, tre emra të mirënjohur në fushën e modës shqiptare janë përzgjedhur nga 14 atelie të tjera për të prezantuar koleksionet e tyre “pret-a-porter” në Beograd të Serbisë. Ata kanë prezantuar nga 15 veshje për sa i përket sezonit pranverë-verë 2007. Projekti në fjalë, “Mundësi për biznes në sektorin e modës midis vendeve të Evropës Qendrore” është një iniciativë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Firences me atë shqiptare, si dhe me bashkëpunimin me presidenten e Shoqatës së Stilistëve e modelistëve të Shqipërisë, Diana Cekodhimës.
Stilistët shqiptarë sollën një larmi ngjyrash dhe modelesh, duke prezantuar denjësisht imazhin e femrës shqiptare. Në koleksionin e Anila Zajmit, për sa i përket sezonit pranverë-verë 2007, spikasin ngjyra të ngrohta, qëndisje dhe materiale të buta. Qëllimi i saj ishte prezantimi i një femre të ëmbël e sensuale. Jo më kot koleksioni quhej “bambola”.
Një stil krejt të veçantë solli Ardi Asllani, i cili është i mirënjohur për linjat elegante dhe fine që përdor në modelet e tij. Koleksionin e pranverë-verës 2007 e ka ideuar shumë “ëmbël”, duke sjellë ngjyrën rozë të papastër në ndërthurje me ngjyrën gold në trupat e bukur të modeleve serbe. Koleksioni i tij është realizuar nga firma italiane “Tre Maglia”, ku ai punon prej kohësh. Qëllimi i tij ishte që të prezantonte një femër të thjeshtë, por shumë elegante.
Ndërsa stilistja Zina Kondi i ka qëndruar besnike ngjyrës së zezë, e cila mbetet gjithmonë elegante. Në koleksionin e saj spikasin fustane mbrëmjeje maksi, të ndërthurura me xixa, të cilat do të dukeshin shumë bukur në një rast festiv.
Punimet e stilistëve shqiptarë ishin në nivele të barabarta me koleksionet e stilistëve të tjerë të Ballkanit, por edhe më gjerë, madje shumë kompani të mëdha mode kërkuan që të bashkëpunonin me stilistët shqiptarë.
Ky projekt është një hap i vogël, por shumë i rëndësishëm në fushën e modës shqiptare. Nëpërmjet këtij aktiviteti të suksesshëm hapen rrugët për bashkëpunime të mëtejshme dhe mundësi tregu në të ardhmen, për integrimin e Shqipërisë edhe në këtë fushë, si dhe për shkëmbimin e eksperiencave midis vendeve të ndryshme.
Në përfundim të aktivitetit, të gjitha palët ranë dakord për vendin ku do të zhvillohej vitin tjetër java e modës së vendeve të Evropës Lindore. Të gjithë do të ndihemi krenarë për këtë të fundit, sepse java e modës do të zhvillohet në Shqipëri.


Çfarë është CEI (Cetral European Initiative)

Në iniciativën e Evropës Qendrore (CEI) marrin pjesë 18 anëtarë, ku bëjnë pjesë: Shqipëria (e cila mori pjesë për herë të parë), Austria, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Italia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Sllovakia dhe Ukraina.
Që në fillim, qëllimi kryesor i kësaj iniciative ishte që të përkrahte vendet që janë në zhvillim në Evropën Qendrore dhe Lindore, në afrimin me familjen e madhe evropiane. Mbështetja financiare për mirëfunksionimin e kësaj iniciative është përkrahur nga Italia.


Shoqata e Stilistëve dhe Modelistëve të Shqipërisë

Kjo shoqatë është krijuar në vitin 1998 dhe ka pasur një aktivitet të pasur në fushën e modës shqiptare. Shoqata ka implementuar projekte të ndryshme në drejtim të zhvillimit dhe prezantimit të modës shqiptare në Evropë. Në projektet e ardhshme të kësaj shoqate, një vend të rëndësishëm zë aktiviteti që do të zhvillohet në muajin mars, me pjesëmarrjen e gjerë të stilistëve më të mirë të vendit, të cilët janë njëkohësisht anëtarë të shoqatës. Është për t’u theksuar bashkëpunimi dhe marrëveshja që kjo shoqatë ka përfunduar me kanalin më të rëndësishëm të modës në botë, “Fashion TV”, i cili në vazhdimësi do të prezantojë aktivitetet e modës së Shqipërisë. Aktiviteti do të zhvillohet periodikisht dy herë në vit dhe bashkëpunimi do të jetë në nivel institucional. Në këto projekte do të ketë përfaqësues nga moda evropiane, që do të krijojnë mundësinë e njohjes së këtij aktiviteti në ambientet e modës evropiane, duke u dhënë shanse stilistëve shqiptarë në prezantimin e arritjeve të tyre në këtë metropol të botës së modës, shprehet për gazetën “Shqip” presidentja e shoqatës, Diana Cekodhima. Një mbështetje të veçantë në këto projekte të modës shqiptare ka dhënë dhe jep Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Këto aktivitete synojnë sensibilizimin e publikut me dëshirën dhe domosdoshmërinë e paraqitjes së jashtme, sipas tendencave bashkëkohore.


Intervistë me Diana Cekodhimën, eksperte në fushën e modës, si dhe presidente e SHSMSH-së

Në çfarë niveli ka arritur moda shqiptare?
Moda shqiptare, aktualisht, është në hapat e saja drejt integrimit me modën aktuale evropiane dhe është duke krijuar fizionominë e saj nëpërmjet punës së stilistëve shqiptarë, të cilët janë prezantuar në këto vite me dinjitet në aktivitete të ndryshme konkurrimi në rang evropian. Deri më tani, stilistët shqiptarë janë përpjekur t’i prezantojnë koleksionet e tyre në mënyrë individuale. Kjo shoqatë, në mënyrë institucionale, ka qëllim që t’i organizojë në periudha të caktuara, në mënyrë që të ketë një potencial më të madh në ekspozimin e modës shqiptare. Në këtë mënyrë rritet edhe edukimi i konsumatorit, me dëshirën për të njohur modën shqiptare.

Çfarë i duhet modës shqiptare që të arrijë në nivele të barabarta me modën evropiane?
Kjo arrihet duke organizuar aktivitete kombëtare me pjesëmarrjen e shumë stilistëve të talentuar, të cilët, me prezantimet e tyre do japin një karakter kombëtar në sytë e ekspertëve të fushës së modës. Një gjë tjetër, shumë e rëndësishme, do të ishte kualifikimi dhe njohja e stilistëve me tendencat më të fundit evropiane.

Kush janë anëtarët me të cilët kjo shoqatë prezantohet në Evropë?
Shoqata ka shumë anëtarë, ku përfshihen stilistët më të afirmuar dhe më të njohur sot në aktivitetet kombëtare. Disa prej tyre janë: Rezarta Skifteri, Ardi Asllani, Anila Zajmi, Zina Kondi, etj.

arkitektura e re

Arkitektura e re

Nga DELINA CICI
Tendencat e fundit të ndërtesave moderne: nga arkitektura “e gjelbër” në forma të ndryshme deri tek eksperimentimet romantike


Ndërtesa-skulptura, laboratorë të teknologjisë së lartë, ndërtesa në natyrë… Ja se si projektuesit kanë ndryshuar pamjen e qendrave urbane, duke bërë një revolucion në konceptin e “së bukurës”


Kemi dëgjuar mbi stilin romak dhe atë gotik, por dimë shumë pak mbi arkitekturën moderne, atë të qyteteve të ndryshme të botës. Janë pallate, zyra në ndërtesa të ndryshme, të cilat janë ndërtuar me shumë stil. Disa nga ndërtesat janë bërë simbol i disa qyteteve: Pallati i Operës në Sidnej, Piramida e Luvrit në Paris, godina e Parlamentit në Berlin e shumë ndërtesa të tjera. Disa nga arkitektët e ditëve të sotme mund të konsiderohen vërtetë gjenialë, duke filluar që nga Antoni Gaudi (ndërtuesi gjenial i katedrales së njohur si Familja e Shenjtë në Barcelonë). Pa harruar që të përmendim edhe Le Corbusier, Norman Foster dhe Renzo Piano, personalitete të cilët kanë bërë revolucion me mënyrën e veçantë të ndërtimit. Në këtë shkrim ne do ju njohim me shkollat kryesore dhe veprat e arkitekturës, duke filluar që nga vitet 1900. Krijuesit e mëdhenj përdorën teknika dhe materiale të reja të ndërtimit dhe bënë kështu revolucion në konceptin e së bukurës dhe në jetën metropolitane. Një tendencë në vitet e fundit është ruajtja e vlerave natyrore, duke marrë parasysh zvogëlimin e parametrave të smokut dhe trafikut. Një shembull i arkitekturës së gjelbër vjen nga Argjentina. Emilio Ambas përdor elemente natyrale, si parcela toke e pemësh si elemente të brendshme të ndërtesave dhe komplekseve ndërtimore. Këto, në të shumtën, shërbejnë për ndërtimin e çative dhe mureve.
Studimi i një raporti me natyrën është sot pjesë e pandarë në ngritjen edhe të konstruksioneve të grataçielave. Në vitet 1900 u përdor shumë ajri i kondicionuar dhe struktura të izoluara e artificiale, që ishin simbol i imponimit të teknikave të kohës, progresit dhe ndërtimit në kapitalizëm. Sot mendohet për një raport të qëndrueshëm me ambientin. Në ditët e sotme vëren në ndërtesat e larta të metropoleve të ndryshme të botës tarraca të gjelbëruara, që krijojnë mundësi për dritë natyrale dhe ajër. Në saj të materialeve të reja që i përshtaten ambientit të jashtëm, sot shumë grataçiela janë të veshura me tapete, të cilat lejojnë që të hyjë ndryshimi i dritës dhe i diellit. Për të arritur në ndërtimet ekologjike, në objektivin e vetëm të arkitektëve të rinj, këta projektues kanë dy qëllime: respektimin e ambientit si dhe varësinë ndaj saj, duke shfrytëzuar materialet më të përshtatshme, veçanërisht drurin, duke kërkuar që të përfitojnë sa më shumë nga drita natyrale. Ndërsa për ujin e rrjedhshëm e të ngrohtë dhe për përdorime të tjera shtëpiake ekzistojnë panelet solare termike.
Natyra kushtëzon edhe anën estetike: ndryshe nga shekulli XX, kur arkitektura i mëshonte më tepër teknikave industriale, sot preferohen forma origjinale, më të lira dhe që shpesh kanë frymëzim organizmat e gjallë. Një shembull i tillë: Muzeu i “Mercedesit” në Gjermani, i cili të kujton një helikë dopio si atë të ADN-së, në vend të planeve të rregullta. Një ekspert i këtyre ndërtesave arkitektonike është spanjolli Santiago Calatrava. Në ndërtesat e tij, Calatrava kombinon principet e inxhinierisë me një stil harmonik, të frymëzuar nga natyra. Motoja e tij është: “Natyra, nënë dhe mjeshtre”. Ndër të tjera, Calatrava është një ndërtues i urave, të cilat kujtohen për stilin e tij të veçantë të ndërtimit. Disa nga veprat e tij janë: Ura për këmbësorët e Bilbaos, stacioni i Lindjes në Lisbonë, grataçiela Turning Torso në Zvicër dhe Aeroporti i Sondikës në Bilbao.
Arkitektura e viteve të fundit ka mësuar që të luajë me përjashtimet dhe perceptimet, duke vënë në lojë një sfidë të panjohur: ndërtimi i një ndërtese, jo vetëm në mënyrën sesi mund të perceptohet nga syri, por edhe nga ndjenjat. P.sh., Muzeu Hebraik në Berlin, i cili është realizuar nga Daniel Libeskind. Me këto ndërtesa, arkitekti ka kërkuar që të prezantojë holokaustin nëpërmjet dëgjimit, të prekurit dhe të parit. Në çfarë mënyre? Kulla është e realizuar në atë mënyrë, që nuk lejon transmetimin e zërit, duke i privuar vizitorët që të kenë kontakt me jashtë, ashtu siç ndodhte për hebrenjtë, të cilët mbylleshin në kampet e përqendrimit; është ftohtë, ashtu siç ishte për të burgosurit dhe është errësirë (mungesa e dritës kuptohet në mënyrë instiktive si mungesë e jetës). Në një farë mënyre, janë të gjitha karakteristikat, të cilat në një epokë tjetër do të quheshin si defekte në ndërtim.
Në kohën e revolucionit industrial, pas Luftës së Dytë Botërore metropolet perëndimore u zhvilluan shumë shpejt. Preferoheshin më tepër qendrat e qyteteve për të jetuar. Në Evropë, në 25 vitet e fundit, nuk ekziston më ajo nevojë për të ndërtuar shpejt. Arkitektura e sotme i kushton rëndësi të madhe cilësisë, estetikës, krijimit të ndërtesave mbrojtëse, që e bëjnë më tërheqëse dhe më të dobishme ndërtesën. P.sh., Amsterdami, kohët e fundit, ka përdorur shumë nga periferitë e tij, ndërsa në Itali është bërë shumë pak në këtë drejtim.
Në metropolet e mëdha, mungesa e hapësirave, kostoja shumë e lartë e tokës, shndërrimi i qyteteve në qytete të industrializuara dhe qendra shërbimi kanë bërë që të shfrytëzohet një tjetër mundësi: rikuperimi i sipërfaqeve të mëdha industriale të lëna në harresë. Është rasti të përmendim Shën Xhiovanin e gjashtë në Milano, që një herë e një kohë cilësohej si Stalingradi i Italisë. Në vendin e tyre, në 2007-ën, do të fillojë puna për ndërtimin e lagjeve të reja me zyra, banesa, markete dhe një parket një milion metër katrorë i gjelbëruar. Për këtë projekt po punon Renzo Piano dhe fizikani, i cili është nderuar me çmimin “Nobel”, Carlo Rubbia.
Gjithçka do të realizohet në respektim të plotë me natyrën, duke filluar që nga uji dhe deri te mbajtja pastër e ambienteve. Sigurisht që çdo gjë do të jetë natyrale.

Barcelona, Berlini dhe Londra janë vendet e arkitekturës moderne
Në Evropë vendet e arkitekturës moderne janë Spanja, Gjermania dhe Londra. Barcelona dhe Berlini janë muzetë e vërtetë të arkitekturës në qiell të hapur. Ndërsa Italia mund të cilësohet për stilin bashkëkohor dhe tepër modern. “Ne jemi mësuar me formën e bukur. Por arkitektura shprehet edhe me forma të tjera, të cilat jo domosdoshmërisht duhet të jenë estetikisht të bukura”, tregon Enrico Ciabetti, pedagog i arkitekturës bashkëkohore në Universitetin e Firences.
Po Azia? Nga Lindja, vitet e fundit, vijnë veprat e së ardhmes. Mjafton të kujtosh grataçielën Tapei 101 në Tajvan, e lartë 508 m; urën e Donghait mes Shangait dhe ishujve të Yangshang. Jo rastësisht, shumë arkitektë evropianë janë duke ndërtuar në Lindje dhe veçanërisht në Kinë, ku ka hapësira të gjëra.